You Are Here: Home » Të ndryshme » Uncategorized » “FOLEJA E UJKUT”, SHTËPIA PUBLIKE MË NË ZË E POMPEIT TË LASHTË

“FOLEJA E UJKUT”, SHTËPIA PUBLIKE MË NË ZË E POMPEIT TË LASHTË

LORENA-STROKA-GAZETARE-WIKIPEDIA-ALBSTROKANga Lorena Stroka

Për ata që nuk e dinë, Pompei ishte një qytet në Italinë e Jugut, buzë Detit Tirren, afër Napolit të sotëm, i cili u ndërtua në shekullin e 8-të para lindjes së Krishtit nga Oskanët pranë brigjeve të Kampanisë, në rrëzë të malit Vezuv. Pompei ra në duart e Romakëve dhe u ndikua shumë nga civilizimi Greko-Romak. Vendodhja gjeografike dhe klima e shkëlqyer, shumë shpejt e shndërruan atë në një ndër vendpushimet më të mirë në Romën e lashtë.

Pompei ishte një qytet i pasur, me një popullsi prej 20,000-30,000. Aty ku dukej se gjithçka po shkonte mirë, në vitin 62 pas lindjes së Krishtit, papritmas u godit nga një tërmet shumë i fortë, i cili përbëri paralajmërues i një shkatërrimi total. Në të vërtetë, disa vite më vonë, u shënua një tjetër shpërthim i  tmerrshëm i malit Vezuv, një re e madhe hiri mbuloi brenda pak orësh, qytetin e bukur romak.

Pompei u varros dhe u mbajt pothuajse i paprekur nën hirin vullkanik pas shpërthimit të Vezuvit, për shekuj të tërë!

Megjithëse Pompei u zbulua në fund të shekullit të 16-të, gërmimet sistematike filluan në shekullin e 18-të.

Gërmimet nxorrën në sipërfaqe gjetje nga shumë shtëpi publike në Pompein antik, si për shembull, piktura murale dhe grafite me përmbajtje erotike që zbukuronin jo pak ndërtesa shumë dhomëshe dhe shtretër prej guri.

Falusi ishte një element dekorativ (tmerrsisht fatsjellës për vendasit) jashtëzakonisht i përdorur nëpër shtëpi, rrugë, dyqane dhe shtëpi publike. Një nga bordellot më në zë të asokohe quhej ‘Lupanare”, që do të thotë “Fole Ujku”. Ishte një ndërtesë dykatëshe e ndërtuar enkas për të funksionuar si bordello. Përbëhej nga dhjetë dhoma dhe një banjo.

Çdo dhomë ishte e pajisur me një shtrat prej guri dhe një dyshek modest, ku punonjësja e seksit argëtonte klientët e saj. Tipar karakteristik i shtëpisë në fjalë ishin pikturat murale me përmbajtje erotike.

Çdo pikture përshkruante një pozicion të veçantë erotik, të cilat përdoreshin më së shumti si reklamë për shërbimet e ofruara.  Pavarësisht imazheve sensuale, në të vërtetë, kushtet e jetesës aty nuk ishin aspak ideale. Jeta e grave në “fole ujku” ishte e vështirë dhe plotësisht e varur nga të tjerët.

Dhomat e tyre nuk kishin dritare, ishin të vogla, të parehatshme dhe të ndara nga dhoma e pritjes vetëm me një perde. Shumica e grave që punonin aty ishin skllave, me origjinë greke dhe orientale, të cilat vinin nga tregjet e skllevërve dhe nuk zotëronin asnjëfarë njohurie, fakt që ndikoi në përfundimin e tyre si punonjëse seksi!/Lorena Stroka

© AlbStroka.com

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top