You Are Here: Home » Gnomonologji » Shpirti » Fletë nga ditari im!

Fletë nga ditari im!


© Lorena Stroka

Për aq kohë sa njerëzit të jenë “kështu”, “kështunë” secili mund ta perceptojë si të dojë, unë do vazhdoj të besoj në zana, në romantizëm, mirësjellje dhe ndershmëri. Sado bashkëkohorë që të ndiheni ju, unë s’do rresht së udhëtuari mbi retë rozë, aty ku ndihem e qetë, e sigurtë dhe shumë e gëzuar…

Nuk kam nevojë për titullin e “Mbretëreshës”, fundja mbretërinë e dramës nuk e adhurova kurrë. Përderisa jam mbretëreshë në zemrat e disave, as titulli, kurora dhe froni do të ishin të pavlefshme…

Gërshetova të vërtetën me përfytyrimin, dhe e bëra jetë, për të rritur shanset që të takoja lumturinë diku në mes… Aty, ku yjet i hapin derën së pamundurës dhe përrallat përhapen goja-gojës. Çdo natë, kur mbyll qepallat, një zanë nga e kaluara, qysh nga fëmijëria ime, më jep krahët e saj për të fluturuar… I vesh me kujdes dhe shkoj nga ylli në yll në kërkim të ngjyrave, për të krijuar pamje të reja, të rralla, ashtu si duan t’i shohin sytë e mi… Fluturoj nga çasti në kujtim dhe anasjelltas, dhe në rrugët e ëndrrave drejtoj shpresat bashkë me urimet e fshehta.

Dhe në qoftë se mendimi im të duket i marrë, fale botë, se ka kohë që e urren logjikën tënde. Ka karakter dhe logjikë të vet, ndaj dhe e lë të flasë pa ndrojtje, pa zbukurime.

Do më thuash nuk është e lehtë…

Për mua nuk ka të lehta e të vështira. Vetëm gjëra që do shumë, dhe gjëra që s’do aspak. Pothuajse asnjëherë këto gjëra nuk janë gjëra, janë ëndrra dhe shpirtra pa tabela, pa karakterizime…

P.S: Të them të drejtën, nuk mbaj ditar. Nuk fsheh copëza shpirti në fletore, sepse po të binte në duar të gabuara, asgjë nuk do të ishte më njëlloj. Mendimet e mia të fshehta nuk do t’i shpreh kurrë, do t’i ruaj brenda meje. Aty, do të jenë më të sigurta./AlbStroka.com/

© www.AlbStroka.com

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top