You Are Here: Home » Të ndryshme » Uncategorized » FILOZOFIA E SHKOLLËS CINIKE NË GREQINË E VJETËR

FILOZOFIA E SHKOLLËS CINIKE NË GREQINË E VJETËR

lorena-stroka-wikipedia-antisthenes0albstroka-gazetare-mitologjiNga Lorena Stroka

Simbol kryesor i cinizmit ishte qeni, ndërsa filozofia që e karakterizonte ishte eliminimi i materializmit dhe ngritja e pikëpyetjeve ndaj gjithçkaje të cilësuar si e vërtetë. Cinikët konsiderohen si pasardhës shpirtërorë të Sokratit. Pavarësisht identifikimit (paralelizimit) të thellë me qenin, i cili ecë zbathur dhe ha vakte të thjeshta në publik, hamendësohet se emri i shkollës filozofike e ka prejardhjen nga Kynosarges, një prej tre gjimnazeve më të mëdha të Athinës së asokohe dhe i vetmi që pranonte bijt e jashtëligjshëm të athinasve – domethënë ata me nënë skllave, të huaj apo prostitutë.

Njëri prej tyre ishte themeluesi i Cinizmit, Antisthenes. Një pasardhës me baba athinas dhe nëne skllave nga Trakia, Antisthenes u shqua si luftëtar në betejën e Tanagra-s dhe më pas u bë një prej mbështetësve të ideologjisë së Sokratit. Shquhej për përmbajtjen, thjeshtësinë dhe prakticitetin e tij. Këto ishin parimet mbi të cilat bazohej shkolla filozofike që ai themeloi. Cinikët talleshin me pasurinë, pozitën, famën dhe kënaqësinë. Ata i karakterizuan ato si kurthe që kapin njerëzit dhe i mbajnë robër të gjërave të pakuptimta. Gjithashtu, përbuznin çdo kuptim të paqartë. Fjalët “njeri”, “natyrë”, “e mirë e përgjithshme” janë boshe për sa kohë që nuk sjellin ndonjë përgjigje/përmirësim të drejtpërdrejtë në jetën e njeriut.

Qendra e gravitetit të etikës vendoset vetëm tek individi, përtej çdo faktori të jashtëm. Të vetmet gjëra që kanë vlerë, janë ato praktike. “Virtyti”, i cili tenton të jetë baza e lëvizjeve filozofike, fitohet vetëm përmes ushtrimeve, varësisë dhe vetëkontrollit. Në të njëjtën mënyrë fitohet edhe njohuria. Meditimi dhe studimi vijnë të dytët. “I mençuri” i Cinikëve nuk duhet të jetë domosdoshmërisht inteligjent, por autonom  dhe i vetëpushtetshëm. Ai që i kufizon nevojat reale në ruajtjen e tij biologjike…

“Pasuria është e dëmshme nëse dikush nuk di ta përdorë siç duhet.” – është një nga aforizmat më karakteristike të Mitroklit, vëllait të Hiparkisë, të mbijetuara deri më sot. Përfaqësuesit e mëvonshëm të Cinizmit përshtatën parimet e shkollës filozofike me krishterimin dhe, në veçanti, me jetën asketiko-monastike. Disa historianë madje kanë argumentuar se mësimet e Krishtit u ndikuan thellësisht nga filozofët cinikë. Nga ana tjetër, cinikët i konsideruan fetë “produkte të zakonit njerëzor”. Sipas tyre, bota drejtohet nga një “Mendje Hyjnore”, e cila nuk mund të përshkruhet. Siç thoshte Antisthenes: “Sipas ligjit, ka shumë perëndi. Sipas natyrës, vetëm një .”/albstroka.com

© AlbStroka.com

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top