You Are Here: Home » ENCIKLOPEDI + » ANTOLOGJI » FËMIJA QË SOLLI DRITËN

FËMIJA QË SOLLI DRITËN

Shqipëroi: Lorena Stroka – Roehmapton University, UK

Në fillim të botës, drita e diellit ndriçonte gjithçka. Pasi humbi, vetëm yjet shkëlqenin gjatë natës për muaj me rradhë. Njerëzit ishin melankolikë, toka mbulohej nga dëbora dhe bimët rriteshin nën akull. Magjistarët përdorën gjithë sekretet e magjisë për të rikthyer diellin pas, por pa sukses.

     Në një fshat, në brigjet e lumit Yukon, jetonte një fëmijë. Ishte jetim, nuk kishte askënd që të kujdesej për të, ndaj dhe tërë kohën rrinte ulur në rrugë, bashkë me të varfërit. Bashkëfshatarët e kishin për budalla, ndaj e shpërfillnin. Një ditë, tek qe ulur para shtëpisë së magjistarëve, pa njërin që kalonte dhe i tha:

“Ç’magjistarë jeni ju, kur s’sillni dot dritën? Unë do shkoj ta gjej”.

Magjistari u zemërua nga fjalët e fëmijës, e qëlloi dhe i tha të mos e shihte më në fshat. Atëherë, fëmija vendosi të bënte atë që kishte thënë. Por para se të nisej për udhë, shkoi te kasollja e më të vjetrit të fshatit dhe e pyeti se  në ç’anë kish ikur dielli. Plaku iu përgjigj:

“Në qoftë se do vërtet të gjesh diellin, vish këpucët e dëborës dhe shko larg, shumë larg, gjithmonë drejt jugut”.

Fëmija ecte, ecte, por kudo gjente errësirë. Një ditë, i zuri bishti i syrit, një rreze drite, që shuhej e shkëlqente përsëri për ca çaste… Duke harruar lodhjen që ndjente, shpejtoi hapin dhe mbërriti në tarracën e një kodre, që nga njëra anë mbulohej nga errësira, dhe nga ana tjetër ndriçohej nga drita e fortë. Duke ecur më tej, u përballë me një kasolle, pikërisht atje ku fillonte malorja. Para kasolles, ish një plak, i cili me ndihmën e një sfurku që mbante në dorë, hidhte dëborën lart, duke hijezuar dritën. Pas plakut, pranë kasolles, ndodhej një top i madh, që përhapte dritë gjithandej. Fëmija kuptoi se gjeti atë që kërkonte. Drita ish atje dhe tani duhej veç ta merrte. Ia afrua plakut dhe i tha:

“Ti, pra, je ai që pengon dritën të vijë gjer në fshatin tim, duke e hijezuar me dëborën që hedh?”

Pastaj i tha se qe mërzitur të jetonte në errësirë, dhe se donte të rrinte atje ku kishte dritë. Plaku i tha se do ta mbante me vete në qoftë se e ndihmonte në pastrim e bënte dhe ca punë të tjera. Pastaj shkoi drejt kasolles dhe ia bëri me shenjë që ta ndiqte në rrugicën që kish çarë përmes dëborës. Porsa plaku hyri brenda, fëmija rrëmbeu topin e madh prej dritë dhe nisi të rendte sa më shpejt mundej. Kur doli nga kasollja, plaku pa se fëmija qe larguar bashkë me dritën. I thirri të kthehej, u mundua ta kapte, por fëmija ecte drejt veriut me gjithë fuqinë e këmbëve të tij. Atëherë, plaku mendoi të lidhte një dre në karrocën e vet e ta përzinte nga pas, por fëmija ishte më i zgjuar. U kërkoi drerëve ta ndihmonin. Ato e morën në shpinë dhe kështu plaku i humbi nga sytë. Në ecje ndjente barrën e diskut të ndritshëm. Atëherë, filloi të mbahej pas ca copash, gjer sa mbërriti në fshat. Që nga ajo ditë, në zonë dita filloi të pasonte natën. Netët herë ishin më të vogla, e herë më të mëdha, sepse fëmija e kish lënë diskun e ndritshëm të binte në intervale të parregullta. Plaku, nuk u dorëzua, vazhdoi ta hidhte dëborën lart e më lart dhe ajo përhapej në qiell dhe mbulonte diellin. Akoma dhe kur dëbora kish ngrirë, ai mundohej të bënte punën e tij. Disi kështu rrjedhin ditët e akullta të Polit të Veriut./AlbStroka.com/

© www.AlbStroka.com

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top