Femicidi: Forma më ekstreme e dhunës për shkak të gjinisë!

Nga Lorena Stroka
Vetëm në vitin 2017, nga 87,000 vrasje grash në rang botëror, u konstatua se 58% e tyre u kryen nga bashkëshortët ose partnerët (ish ose aktualë). Termi “femicid” u njoh gjerësisht si dhe u adoptua nga kriminologjia pas vitit 1992, falë librit “Femicidi: politika e vrasjes së gruas”, një përmbledhje esesh të bashkëredaktuar nga kriminologu Jill Radford dhe sociologia Diana Russell.
“Femicidi është një krim i dallueshëm, që në të shkuarën, dhe për shumë vite fshihej pas krimeve të “nderit”, ndërsa në ditët e sotme, pas termit “krime pasioni”. Prandaj, cilësimi i vrasjes si femicid përbën një akt rezistence ndaj fshehjes së një realiteti shoqëror dhe ekspozon bashkëfajësinë e shoqërive tona seksiste”, theksojnë ekspertët e fushës.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë: “femicidi është vrasja e qëllimshme e grave për shkak të gjinisë. Femicidi zakonisht kryhet nga burrat, por ndonjëherë edhe me bashkëpunimin e grave, zakonisht anëtarë të së njëjtës familje.”
Në shumicën e rasteve, femicidi kryhet nga një partner ose ish-partner, i cili zakonisht ka shfaqur sjellje abuzive afatgjatë, duke kërcënuar, keqtrajtuar ose frikësuar gruan, e cila shpesh ndodhet në një pozicion të dobët fizik ose financiar në krahasim me atë.
Statistikat e trishta në botë dhe BE
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, është e rëndësishme të regjistrohen si dhe të ruhen të dhëna zyrtare bazuar në përkufizimin e ri ligjor dhe në zhvillimin e femicidit.
Ia vlen të theksohet se, si në nivel global, ashtu edhe midis shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, të dhënat në lidhje me krimet gjinore janë të rralla dhe jo lehtësisht të krahasueshme apo të besueshme. Megjithatë, burimet e disponueshme mund të japin një ide të përafërt të shtrirjes së problemit.
Çdo ditë, në mbarë botën, 137 gra vriten mesatarisht nga bashkëshortët ose partnerët (ish ose aktualë) ose nga një anëtar i familjes së tyre.
Në nivel global, pesë vendet me normat më të larta të regjistruara të femicideve sot janë Argjentina, El Salvadori, India, Hondurasi dhe Meksika, ndërsa norma të larta regjistrohen edhe në Guatemalë, Kolumbi, Brazil, Rusi dhe Afrikën e Jugut.
Autorët e femicideve
Sipas raportit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), shkaku kryesor i vdekjes për gratë nga mosha 16 deri në 44 vjeç, ndërkombëtarisht, është vrasja nga një person i afërt i tyre e më pas kanceri ose aksidentet rrugore!
Së fundi, sondazhi më i madh i BE-së mbi dhunën me bazë gjinore, raporton se të paktën pesëdhjetë gra në BE vriten çdo javë nga partneri aktual ose ish-partneri i tyre.
Për më tepër, bazuar në të dhënat nga Instituti Evropian për Barazi Gjinore, EIGE:
Në Britani, çdo tre ditë vritet një grua
Në Suedi, çdo dhjetë ditë një grua dhunohet për vdekje nga bashkëshorti ose partneri i saj
Në Spanjë, një grua vritet çdo katër ditë, rreth 100 në vit
Në Francë, një grua vritet çdo pesë ditë për shkak të dhunës në familje
Prej tyre, 1/3 janë goditur me thikë, 1/3 janë ekzekutuar me armë zjarri, 20% janë mbytur dhe 10% janë rrahur për vdekje.
Një vepër kriminale e padukshme
Përpjekje të veçanta për trajtimin e fenomenit janë bërë në vendet e Amerikës Latine ku fenomeni ka marrë realisht përmasa të gjera. Femicidi si akt kriminal tashmë është njohur në shumë vende, duke përfshirë Kilin, Kosta Rikën, El Salvadorin, Guatemalën dhe Meksikën.
Argjentina e njohu “femicidin” si një term ligjor në vitin 2016 pasi tre burra të paidentifikuar përdhunuan, e më pas vranë një nxënëse të mitur dhe dhjetëra mijëra gra protestuan nëpër rrugët e vendit.
Në Europë, më konkretisht në vende si Spanja që tregojnë ndjeshmëri të lartë në trajtimin e dhunës ndaj grave, veprat penale trajtohen si “neutrale”, pra nuk merret parasysh gjinia e viktimës.
Për sa i përket vendit tone, nuk kemi statistika zyrtare për femicidin, pasi vrasjet e grave për shkak të gjinisë nuk regjistrohen si të tilla./AlbStroka.com
© AlbStroka.com