You Are Here: Home » Gnomonologji » Ekzistenca » FARA E PËRPARIMIT

FARA E PËRPARIMIT

lorena-stroka-thenie-albstroka-blogNga Lorena Stroka

Po të bëjmë një prapavajtje historike, do të konstatojmë se mes shumë revolucionesh të ndodhura, vetëm tri prej tyre kanë kërcënuar seriozisht idenë e antropocentrizmit: Së pari, Koperniku, i cili dëshmoi se toka nuk është qendra përreth së cilës vërtiten të gjithë trupat qiellorë. Së dyti, Darvini, i cili tregoi se nuk jemi qendra e zinxhirit të kafshëve, por, sikurse të gjitha krijesat e tjera, jemi thjesht evolucion i disa llojeve të tjera të kafshëve. Së treti, Frojdi, i cili vërtetoi se nuk jemi absolutisht të pavarur, dhe se pjesa dërrmuese e sjelljeve tona udhëhiqet nga forcat e jashtme të vetëdijes sonë.

Nuk ka pikë dyshimi që shoku i padukshëm i Frojdit në revolucion ishte… Shopenhaueri. Njeriu i cili shumë vite para se të lindte Frojdi kishte argumentuar se njerëzit udhëhiqen nga forcat e thella biologjike, dhe se në vazhdim vetë mashtrohen duke pretenduar se zgjedhja e veprimtarive të tyre të mëvonshme është krejtësisht autonome. Por, sa bindëse mund të jenë mendimet reflektuese të Shopenhauerit në një kohë ku fjala përdhoset ligjërisht? Sa e vështirë është njohja dhe kufizimi i vetvetes përballë realitetit të dhimbshëm? Njerëzit që jetojnë në një labirint pasionesh dhe ankthi si do të përvetësojnë “apatinë” dhe qetësinë e shpirtit? A do të arrijë Shopenhaueri të mbjellë farën e përparimit në një tokë të djegur mendimesh e mendësish bashkë?/albstroka.com/

© AlbStroka.com

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top