You Are Here: Home » Kuriozitete » “Shërbëtori i djallit!”

“Shërbëtori i djallit!”

Nga Lorena Stroka

Një ndodhi që ia vlen të bëhet film!

Paganini, nuk ishte një violinist, kitarist apo kompozitor i thjeshtë  por violinisti më i famshëm virtuoz që dallonte për teknikën edhe aftësitë e tij, shembulli i të cilit shpesh herë u shndërrua në burim frymëzimi për shumë kompozitorë të tjerë si Franz Liszt etj. Legjendari i të gjitha kohërave, artisti që trondiste skenat, edhe pse ishte shumë i suksesshëm në punën e vet, jeta ekstravagante që bënte por edhe goditjet e njëpasnjëshme të fatit e kishin mbërthyer në shtratin e dhembjes. Talenti i rrallë që zotëronte kishte shkaktuar zilinë e shumë bashkëkohësve të tij, të cilët kishin përhapur mijëra shpifje për të. Disa thonin se dikur kishte vrarë dy gratë që dashuroi, shpirtrat e të cilave i burgosi brenda tingujve të violinës së tij. Mënyra se si i rrëmbente dëgjuesit në rrymën e tij melodioze ishte tejet e çuditshme. Cilido që e dëgjonte për herë të parë, një ndjenjë transformimi e përshkonte të tërin. Edhe pse nuk ishte aspak i bukur, femrat magjepseshin me personalitetin e tij. Pak para se të vdiste sytë e tij kishin marrë formë të frikshme, ishin strukur aq thellë, sa që tmerri që shkaktonin tek ata që i shihnin nuk kishte të shkuar. Por e keqja nuk ndalte aty, gishtrinjtë e tij të stërzgjatur i kishin bindur të gjithë se bëhej fjalë për një “qenie diabolike”. Madje para se të linte frymën e fundit si pasojë e tuberkulozit në laringë, prifti refuzoi të kryente ritet e fundit. Kështu, më 27 maj kisha katolike refuzoi varrimin e “shërbëtorit të djallit”, dhe i vdekuri qëndroi për gjashtë muaj me radhë në arkivol, brenda bodrumit të spitalit. Më vonë, me ndërhyrjen e tre adhuruesve të tij, u arrit marrja e trupit dhe varrimi i fshehtë i tij…

© Albstroka.com

 

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top