You Are Here: Home » Gnomonologji » Shpirti » DËSHMI SHPIRTI

DËSHMI SHPIRTI

Nga Lorena Stroka

Gjithçka fillon me pyetjen: “Çfarë ke?”

– Çfarë kam?

Vërtet ç’kemi? Ca mendime, mijëra ndjenja dhe një të vërtetë që na djegë… Sonte, kam ç’kyçur gjithë ç’fsheh, pyetje jete që kërkojnë përgjigje shpirti, ndjenja të pashprehura më parë, e plot të tilla… kohët e fundit shumë dëshira më mundojnë, kështu si unë jam e sigurtë që ndihesh dhe ti. Mos më thuaj Jo. Mund të gënjejmë këdo, por kurrë vetveten. Ndalu ca çaste para pasqyrës, dhe vështroje veten me kujdes, çfarë vëren? Një ambicioz…  Ato që ke të duken pak, ato që s’ke të duken të paarritshme… Çfarë janë këto? Mendime të turbullta, që s’të lënë të jesh vetvetja. Pse? Sepse më kot mundohesh t’i ngjash dikujt tjetër. Secili është unik për atë që është… Në qoftë se do ta shikosh veten pa u skuqur, bëj atë që të do shpirti, jo atë që kërkojnë të tjerët… Mos ki modele…

Ndjenja? Më thuaj ç’magji të bëj që të besosh në të pamundurën. Më thuaj ç’shkak kërkon që të gjesh idealin? Më thuaj pse i frikesh të veçantës?

Dua të bëhem buzëqeshje e të zbukuroj buzët që u rrudhën pa arsye. Të hyj në shpirtrat e etur për pikëza gëzimi e të bëhem shi lumturie. Të lehtësoj çdo pikë që pret një shenjë ndryshimi, një fije të artë drite. Dua të bëhem ëndërr e të shpoj në mendjet e njerëzve që i tremben së nesërmes, jetës.

Dua të bëhem fjalë dhe t’i bëj të tjerët të besojnë. Fjala pesë-shkronjëshe “besim”, mbart kaq shumë forcë, kuptim e stimulim sa është e vështirë të krahasohet me çdo gjë tjetër.  Dua të bëhem lot e të ngjitem në sytë që duan të shpërthejnë e të qajnë pa ndrojtje… Dua të hyj në zemrat që ndiejnë vetmi e shpërfillje, t’u rikthej paqen e humbur…

Dua të bëhem mendim e t’i drejtoj në monopatet e mia. Diku mënjanë, pa fantazma, pa errësirë, pa paragjykime, pa shtirje.

Dua të përkulem e të ngre ata që jeta rrëzoi padrejtësisht. T’u mbaj dorën fort, e t’u them se jeta vazhdon, ndaj ngrihuni se kurrë s’është vonë për një fillim të ri. Të shtrirë përtokë shohin veç një copë qiell. Ndërsa të ngritur në këmbë mund të shohin një qiell e botë të tërë. Ah jeta, është e bukur dreqi…!!!

Urimet dhe shpresat i bëj hajmali e i hedh në det, që t’i gjejnë ata që kanë nevojë të besojnë.

Më quan fëmijë dhe dëgjoj zërin tënd që dëshmon karakterizimin përçmues. Mua më pëlqen të ndihem kështu… E vetmja gjë që më frikëson është guximi i tepërt dhe risku që e shoqëron “shpirtin-fëmijë”. Më frikësojnë zgjedhjet që kam bërë, por më shumë ato që s’tentova kurrë. U frikem atyre që do vijnë në udhën time, por dhe atyre që s’do arrijnë dot kurrë tek unë. Dhe qesh, qesh me mendimet parashikuese, ato që di vetëm unë, ato që s’do t’i zbuloj kurrë…

Buzëqesh dhe ti miku im, mendo për dëshirat e tua.

Kundro hënën dhe ëndërro, vështro yjet dhe udhëto. Prit të gdhihet dhe shiko kaltërsinë e qiellit, lëre diellin të të shkëlqejë çastet, minutat, orët, ditët, javët, muajt që vijojnë. Dhe prano madhështinë e jetës që të rrethon se është unike e duhet ta gëzosh./AlbStroka.com/

© www. AlbStroka.com

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top