DASHURONI, ËNDËRRONI, BUZËQESHNI
Ka disa njerëz që në prag festash i zë një lloj melankolie. Arsyeja? Nuk është vetëm një. Dikujt i mungon dikush që do e s’e ka pranë, një tjetri një ëndërr që iu pre përgjysmë e kështu me rradhë… Dhe e vërteta është se dritat nuk shkëlqejnë njëlloj për të gjithë, aq më tepër kur çastet e veçanta nuk i gëzon me ata që do, dhe aty ku do. As pema nuk përhap të njëjtën atmosferë festive, as nuk të përvjedh në shtigjet magjike të Krishtlindjeve! E dini si është puna? Më e rëndësishmja nuk është që jeta të të sjellë ato që do, por të dish të vlerësosh ato që ke. Në një proces të tillë vlerësimi e mendimi të thellë kuptova rëndësinë e këtyre ditëve festive.
Kuptimi i vërtetë i Krishtlindjeve është të mësojmë të duam. Të duam veten tonë, të afërmit tanë, mendimet tona, ëndrrat tona, çdo gjë që bëjmë. Se akoma dhe nëse diçka është e parëndësishme, dashuria do ta bëjë të rëndësishme.
Të mësojmë të ndihmojmë
Të ndihmojmë veten tonë për të kapërcyer kurthet psikologjike, të ndihmojmë fqinjin tonë në rast nevoje, të ndihmojmë ëndrrat dhe mendimet tona që të arrijnë sa më lart, pse jo të gjejmë mënyra për t’i realizuar ato. Se vetëm kështu e ardhmja do të jetë më më e mirë, më e bukur, më pozitive.
Të falim
E di që është e vështirë, por jo e pamundur… Të falim veten për gabimet që bëmë, njerëzit që dikur s’na u sollën dhe aq mirë, ëndrrat dhe shpresat që na zhgënjyen, mendimet që na çuan në përfundime të gabuara, të falim gjithçka që na lëndon!
Të ndajmë dashuri
Të ndajmë hidhërimin tonë me erën dhe detin. Ta marrin larg nesh, që të mos na rëndojë më. Të ndajmë buzëqeshje dhe aurë pozitive me njerëzit që na rrethojnë. Të ndajmë ëndrra dhe shpresa në një botë që friket. Të mësojmë të ndajmë dhe të rrëzojmë çdo mur të papërcaktuar që na ka izoluar në copa realitetit të pangjyrë, që padashur pranuam si burg, dhe nuk gjetëm mënyrë për t’u arratisur. Të ndajmë çdo gjë… sepse kur ndan akoma dhe çika bëhet pikë (i themi andej nga anët e mia).
Richard Hutch dikur tha: “dashuria është e vetmja gjë që sa më bujarisht e shpërndan, aq më shumë shtohet”. Dhe kishte të drejtë…
Miqtë e mi (më pëlqen t’ju thërras kështu, pavarësisht se s’njihemi nga afër), dashuroni, buzëqeshni, ëndërroni dhe kalofshi sa më bukur kudo-qofshi dhe me këdo-qofshi./AlbStroka.com/
Natën e mirë, BOTË!
© www.AlbStroka.com