You Are Here: Home » Kuriozitete » ÇFARË SIMBOLIZOJNË SELVITË NË VARREZA?

ÇFARË SIMBOLIZOJNË SELVITË NË VARREZA?

albstroka-blog-lorena-stroka-foto-biografia-wikipedia-shkrime-varrezat-selviteNga Lorena Stroka

Sipas mitologjisë greke, Qiparisi ishte një djalë i pashëm nga Kea, bir i Telefusit dhe nip i Herakliut, i cili shquhej për përkushtimin e rrallë ndaj kafshëve. Një ditë të nxehtë vere, ndërsa merrej me shigjetat e veta, njëra prej tyre u ngulit gabimisht mbi trupin e drerit të tij të shenjtë që pushonte në hije.

Kur pa trupin e përgjakur të drerit, i mbushur me dëshpërim i riu deshi të vdiste. I kërkoi qiellit ta dënonte me përlotje të përjetshme. Edhe pse fillimisht, Apolloni, u mundua ta bindte për të kundërtën, përfundimisht, vendosi t’i lehtësonte dhimbjen duke e shndërruar në qiparis, prej të cilit do të rridhnin lotë zie si pika. Ndërsa maja e zgjatur e pemës me trup të drejtë e gjethe të vogla luspake, do të simbolizonte shtizën me të cilën u vra dreri.

Grekët e lashtë, kur humbnin ndonjë të afërmin e tyre, varnin jashtë dyerve të shtëpive degëza selvie në shenjë zie. Gjithashtu, dekoronin me to trupat e të vdekurve ose i digjnin mbi varre.

Mirëpo ka edhe nga ata që besojnë se përhapja e legjendave të vjetra ka çuar në shtrembërimin e së vërtetës në lidhje me ekzistencën e selvive. Në mënyrë të veçantë, ata argumentojnë se mbjellja e selvive në varreza është një lëvizje e domosdoshme për eleminimin e erërave të pakëndshme.

Mos vallë arsyeja e vërtetë nuk është asnjëra prej të lartpërmendurave, por, morfologjia e pemës në fjalë? Siç është e njohur, pavarësisht terrenit dhe klimës, qiparisi është një pemë me sistem të thellë rrënjësh dhe shtrirje të limituar, gjë që ndihmon në ruajtjen e paprekur të qivureve./albstroka.com/

© AlbStroka.com

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top