You Are Here: Home » Kuriozitete » Çfarë fshihej pas grimit të tepërt të Kleopatrës?

Çfarë fshihej pas grimit të tepërt të Kleopatrës?

Nga Lorena Stroka

Kleopatra mbeti në histori për dashuritë e saj të mëdha me Julius Caesar dhe Mark Antony. Ishte një grua me personalitet të veçantë dhe bukuri të rrallë. Edhe pse jeta e saj u shtjellua dhe rishtjellua qindra-mijëra herë në faqet e  librave por edhe në shumë prodhime televizive, kureshtja e  publikut të gjerë ende nuk është shuar për të. Sa herë që mundohemi të sjellim ndërmend imazhin e saj, automatikisht shohim një grim të tepërt dhe tejet sensual. Egjiptianët e lashtë përdornin grime impresionuese në fytyrë, sidomos rreth syve, dhe busti i famshëm i Kleopatrës përbën shembull klasik.

Tani, një grup shkencëtarësh Francezë zbuloi se make up nuk shërbente vetëm si element zbukurues ose  “ruajtës” nga “syri i keq” i të tjerëve. Në vendin e Nilit, gratë e përdornin për t’u mbrojtur nga sëmundjet e ndryshme të syve.

Egjiptianët e lashtë, 4000 vjet më parë, prodhonin produkte kozmetike për të theksuar dhe stolisur sytë e tyre. Substancat prodhoheshin nga plumbi dhe  disa përzierje kripërash, të cilat, për t’u përgatitur nevojiteshin të paktën një muaj kohë.

Në kundërshtim, me perceptimin e përgjithshëm që mbizotëronte deri tani, (që plumbi-lapsi është i dëmshëm), shkencëtarët Francezë duke realizuar shumë eksperimente kimike, konstatuan se në qoftë se përdoret në doza të  ulta, substanca në fjalë nuk i vret qelizat. Përkundrazi, konfirmuan, se në dozë të ulët, plumbi prodhon një molekulë të dobishme (oksidin nitrik) që aktivizon sistemin imunitar dhe lufton bakteret në rastin e infeksionit të syrit, diçka që në lashtësi ndodhte shpesh herë.

© Ndalohet çdo ribotim i pa autorizuar.

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top