You Are Here: Home » Mjekësi » Bukuri » BIZHUTË, DASHURI APO URREJTJE?

BIZHUTË, DASHURI APO URREJTJE?

Nga Lorena Stroka

Unë që thoni ju mikesha kam katër nipër (dy nga ana e motrës dhe dy nga e vëllait). Deri tani, asnjëri prej tyre nuk ka bërë vajzë. Kush e di mbase bëj unë një ditë… dhe pse e shoh tepër të vështirë, është përgjegjësi e madhe të sjellësh fëmijë në jetë. I dua që të katërt shumë, mirëpo, Jonin, djalin e vogël të motrës, e dua një çikë më shumë. Flasim si të rritur me njëri-tjetrin, dhe pse është 9 vjeç, bën ca pyetje të goditura…

Një ditë, midis shumë të tjerave që po thonim bashkë, u kthye dhe më pyeti:

– “O teze po ti pse s’përdor kurrë bizhu, si ato që ka mami te sirtari?”

U shtanga, s’e prisja të më bënte një pyetje të tillë. E rrëmbeva dhe nisa ta puthja. Pastaj mora hije seriozeje dhe i thashë:

– “Po pse, nuk të pëlqej kështu?”

– “Jo, jo, je shumë e mirë, po them se mos do ishe akoma më e mirë po të provoje dhe ca nga ato!”

– “Mirë”, i thashë “të jap fjalën që do provoj, po vetëm në qoftë se do më blesh një ti ama”.

– “Po unë jam i vogël, do presësh derisa të rritem unë?”

– “Patjetër, i thashë, premtimi është premtim”.

Dhe e lamë me kaq muhabetin…

Tani, përtej shakave, arsyeja që nuk përdor bizhu nuk është skamja, por zgjedhja personale. Nuk më kanë pëlqyer kurrë, i kam patur bezdi, akoma dhe kur i shikoj te të tjerat më duket sikur rëndojnë mua. Si të gjithë partnerët e tjerë, edhe ky i imi, më merrte vazhdimisht, “mos u harxho”, i thoja “se nuk më pëlqejnë”, mirëpo atij i dukej sikur ia thoja për modesti. Derisa më në fund e pa që nuk i nxirrja kurrë nga paketimet e tyre. Ndonjëherë them me vete: “A do të vijë vallë ajo ditë që t’i dua edhe unë?” Koha do ta tregojë.

Pavarësisht se s’jam adhuruese bizhush, mendoj se ato nuk janë thjesht ca aksesorë zbukurues, përkundrazi zbulojnë shumë për personalitetin e një femre.

Personalisht jam e fiksuar pas fundeve dhe pantallonave me bel të lartë, kam mbi 70 funde dhe 40 palë pantallona të tilla. Ç’të bëjmë, jo të gjithëve na pëlqejnë të njëjtat gjëra?! Tani për sa i përket titullit: Dashuri apo urrejtje? Në rastin tim nuk qëndron asnjë nga të dyja./AlbStroka.com/

© www.AlbStroka.com

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top