You Are Here: Home » Kuriozitete » BIMA DY-GJETHËSHE QË JETON 1000 VJET!

BIMA DY-GJETHËSHE QË JETON 1000 VJET!

lorena_stroka_gazetare-gazeta-albstroka-shkrimeNga Lorena Stroka

Namibia është një shtet i vogël në pjesën jug-perëndimore të Afrikës. Relievi i së cilës përbëhet kryesisht nga rrafshnaltat, ndërkohë që përgjatë bregdetit gjendet shkretëtira e Namib dhe në lindje shkretëtira Kalahari… Në një prej vendeve më pak mikpritëse të planetit, si Bregu Skeleton, talenti i natyrës për përshtatshmëri duket i pamatë, pasi zona e shkretëtirës së Namibisë është tejet e pasur me jetë të egër. Në të vërtetë, me vetëm 1 centimetër ujë në vit, gjithçka mbijeton pothuajse ekskluzivisht nga mjegulla mbi bregdet. Disa prej bimëve aty, si Welwitschia mirabilis, nuk ngjajnë me asgjë tjetër në Tokë.

Një bimë me vetëm dy gjethe…

Është cilësuar si bima më e çuditshme në botë, përsa i përket morfologjisës ë saj. Në dialektin vendas, Welwitschia mirabilis, referohet si ‘diçka që nuk mund të vdesë’, pasi mund të jetojë për më shumë se 1000 vjet. Përveç rrënjëve dhe një kërcelli, tip trungu të vogël, çdo bimë ka vetëm dy gjethe që nuk bien kurrë, dhe që rriten vazhdimisht.

Përveç kësaj, është ndër të paktat bimë që ka gjini, domethënë femërore dhe mashkullore, të cilat karaterizohen nga fara të ndryshme konike, si dhe gjymtyrë të ndryshëm që prodhojnë nektar.

Një tjetër emërtim që i është dhënë bimës në fjalë është ‘oktapodi i shkretëtirës’. Në vend të tetë këmbëzave, ajo ka vetëm dy gjethe, të cilat për shkak të erërave të forta, zakonisht ndahen në shirita të gjatë e të panumërt. Gjithashtu, duke qenë se trungu i kësaj bime është tepër i shkurtër, gjethet e stërmëdha shtrihen gjithandej, duke krijuar kështu përshtypjen e një oktapodi në fund të detit. Kjo formë shtrirjeje ndihmon në ruajtjen e freskisë së rrënjëve dhe krijimin e lagështisë së domosdoshme për mbijetesë./AlbStroka.com/

© AlbStroka.com

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top