You Are Here: Home » Të ndryshme » Batallët e facebook-ut! Rinia po thinjet para kompjuterit!

Batallët e facebook-ut! Rinia po thinjet para kompjuterit!

 

 

 

 

Nga Lorena Stroka

Profilet në facebook janë përhapur si kërpudhat, po t’i vësh re ka më shumë llogari se sa njerëz në planet, pse ndodh kjo? Sepse secili ka krijuar të paktën 10 profile fallsë. Do më thoni po ç’i duan gjthë këto profile? Për ç’gjë tjetër? Për të gjetur ndonjë dashnore ose dashnor! Herë përdorin emra vajzash, herë emra djemsh. Po s’na ndezi këtej thonë, do të na ndezë andej. E bëmë që e bëmë mundimin të mos dalim duar bosh!

Njërëzit seriozë që e përdorin facebook-un për të promovuar veprimtarinë e tyre profesionale janë vërtet të paktë. Nuk e shpenzojnë kohën e tyre gjithë ditën para një kompjuteri, siç bën pjesa tjetër e batallëve.

Batallët mbeten batallë. Të njëjtët do të mbeten në çdo kohë. Çigare në buzë, xhel në flokë, syze dielli në palcën e dimrit, para borxh dhe varavingo rrugëve të fshatit apo të qytetit. Dikur këta batallë hanin ndonjë grusht fara luledielli prapa ndonjë pallati ose bënin ndonjë lojë kumar, ndërsa tani janë mbyllur në një dhomë si të burgosurit dhe masturbohen.

Nga ana tjetër kemi gratë, dhe s’flas vetëm për këto të rejat 18 – 30, por për këto të mëdhatë që nuk e di se ç’kanë pësuar por janë tërbuar fare kohët e fundit. I ke 24 orë në ditë në facebook. Se kur gatuajnë, se kur lajnë, se kur merren me familjet një zot e di! Dhe sikur dyfishin e orëve të kishte dita, ato përsëri të njëjtat gjëra do të bënin: shkrepje fotosh në tualet, rregullim në photoshop dhe në pritje të ndonjë komplimenti te fusha e komenteve! Hajde hap shtëpi pastaj me këto! Po më mirë rri vetëm! Se kështu brirët do të  të arrijnë në tavan! Gratë nuk kanë kuptuar një gjë: burrat që kërkojnë në internet për gra janë po aq qesharakë sa ato. Të mjerë, të paaftë dhe tërësisht idiotë. Po cili njeri serioz do të donte të kalonte jetën me një grua apo një burrë si këta të sipërpërmendurit?!

Sa për fëmijët ç’të thuash? Fëmijët ndjekin shembullin e të mëdhenjve, në facebook rrini ju? Në facebook do të rrimë dhe ne! Ngarkojnë dhe ata ca foto qesharake, s’dinë të lidhin dy fjalë, me zor marrin një 5 në shkollë etj, etj…

Ku kemi arritur o njerëz? Në qoftë se do të vazhdojmë kështu, kam frikë se shumë shpejt do të humbasim dhe ato pak vlera që na kanë mbetur. Zgjohu rini! Jeta nuk është facebook-u, jeta është jashtë.

Shkollohuni (me forcat tuaja, jo me paret e babait), punoni, dashuroni, argëtohuni… se koha kalon shumë shpejt, mos u thinjni para kompjuterit se është krim… Kurrë nuk është vonë për një fillim të ri./AlbStroka.com/

© www.AlbStroka.com

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top