ATALANTA KËMBËSHPEJTË
Pjesë nga libri – “MITOLOGJIA, FILOZOFËT DHE POETËT E LASHTË GREKË, (I)” – Lorena STROKA
Atalanta ka qenë një ndër heroinat më në zë të antikitetit Grek, më këmbëshpejta e të gjithë të vdekshmëve. Tregimin e cilës e ndeshim sa në legjendat e Arkadisë, aq dhe në ato të Biotisë. Karakteristikat e të dyja legjendave janë aq të ngjashme mes tyre, sa nuk lënë vend për hamendësime se mund të ketë pasur dy personazhe me të njëjtin emër.
Në legjendën e Arkadisë, Atalanta përshkruhet si e bija e Iasit dhe Klimenës. Vendlindja e saj besohet të ketë qenë Tegea. Kur ajo lindi, i ati i saj, ngaqë donte vetëm djem, e braktisi në malin e Parthenusit, pranë hyrjes së një shpelle.
Në fillim, përkujdesjen e saj e mori përsipër një arushë (simboli i Artemidës), për të kaluar më vonë në duart e disa gjuetarëve vendas. Atalanta qëndroi gjatë me ta, pranë tyre ajo mësoi gjithçka nevojitej, por edhe të pathënat e zanatit.
Më vonë, kur vendosi të ecte e pavarur udhës së jetës, i premtoi vetes se nuk do të martohej kurrë, dhe se do të qëndronte përherë e dëlirë. Po a ishte e mundur të mos rrezikohej nga kërcënime e sulme të befasishme në mesin e askundit? Dikur ajo pati vrarë me shigjeta dy centaurë që tentuan ta përdhunonin.
Hijëshia e fizikut të së resë nuk kalonte pa u vënë re, pre e bukurisë sa saj rrezatuese ish edhe Meleagri, i biri i mbretit Oineos, kryesuesit të heronjve që do të luftonin derrin e Kalidonisë. I cili, pavarësisht fërkimeve të brendshme, jo vetëm mundi ta bënte bënte pjesë të luftëtarëve, por, zbuti dhe armiqësinë e krijuar mes tyre. Kështu, në ditën e gjashtë të gjuetisë, Atalanta, së bashku me Meleagrin vrau derrin e Kalidonisë, duke i hedhur e para shigjetën vdekjeprurëse në trup. Në shenjë nderimi, iu dha si shpërblim koka dhe lëkura e kafshës.
Sa për jetën personale të Atalantës, ajo u martua, me kushëririn e saj, Melanionin, i cili kishte rënë në dashuri me të qëkur ajo endej pyjeve. Nga lidhja e tyre lind Parthenopaeusi, njëri prej personazheve më të njohur në veprën e Euripidit: “Të shtatë kundër Tebës”.
*** *** ***
Sipas legjendës së Biotisë, prindërit e Atalantës ishin Schoineosi dhe Klimena. Qysh në vegjëli, ajo kishte shfaqur aftësi mahnitëse në gjueti dhe pamposhtje në sportin e vrapit. Kishte zgjedhur të jetonte e vetme nëpër pyje, larg njerëzve dhe gjithçkaje të zhurmshme. Shumë besonin se mënjanimi i shërbente si provë besnikërie ndaj Artemidës.
Fillimisht, dëshira e të jetuarit vetëm, ra ndesh me parimet e atit të saj, i cili i tha prerazi: “Vendimi yt do të respektohet, vetëm në qoftë se kryeson në të gjitha garat që do të zhvillohen. Në rast humbjeje, je e detyruar të pranosh martesën me fitimtarin.”
Meqënëse sfida ish pranë natyrës dhe aftësive të Atalantës, ajo pranoi, pa e menduar rishtas, natyrisht, pa harruar të caktojë edhe ajo një kusht paraprak: “Çdo humbës do të vritej nga dora e saj.”
Për këtë arsye, gjithnjë, me të çelur gara, ajo i jepte përparësi kundërshtarit, dhe vetë nisej fill pas tij me një shtizë në dorë, për ta lëshuar në drejtim të të riut, sapo t’i afrohej.
Mes humbësve të shumtë, veç Hipomedoni, mundi ta mposhtte këmbëshpejtën. Gjithçka e arriti falë mjeshtërisë që i mësoi Afrodita. Perëndesha i dhuroi atij tri mollë të arta nga kopshti i Esperideve, duke i thënë që t’i hidhte një e nga një përtokë, sa herë që i afrohej Atalanta. Ashtu edhe bëri, padjallëzia e këmbëshpejtës për t’i mbledhur çdo herë, i kushtoi fitoren!
Dy të rinjtë, të shtyrë nga zjarrmia e moshës, nuk nguruan t’i përgjigjeshin thirrjes së trupave brenda tempullit të perëndeshës Kibelë, diku në mesin e pyjeve. Kjo lëvizje e pamenduar dhe e mëkatshme njëkohësiht, shkaktoi shndërrimin e tyre në një çift luanësh./albstroka.com/
© AlbStroka.com