You Are Here: Home » Të ndryshme » ASGJË NUK VLEN MË SHUMË SE LIRIA QË DUHET FITUAR SËRISH

ASGJË NUK VLEN MË SHUMË SE LIRIA QË DUHET FITUAR SËRISH

Nga Artan Mullaj

Ti thartohesh dhe shëmtohesh përballë një realiteti ku mungesa e moralit publik nuk është thjesht vetëm një ngjarje e keqe. Fuqitë e tua janë të reduktuara në nevojën për të duruar këtë mungesë, që në gjuhën juridike përkthehet si demokraci e keqe, ose sundim. Në përditshmërinë e  kontrolluar prej pushtetit gabim, durim nuk do të thotë shpresë, si njëherë e një kohë, e ca më pak qytetërim. Te jesh, të rregëtish, të marrësh pjesë, të shohësh se si vullneti kolektiv shpërdorohet për mirëqënien e atyre që sot janë elitë, që dje ishin elitë sepse dje vodhën pushtet edhe prona, dhe do të jenë elitë, sepse nesër do i vjedhin edhe kockat e fundit Atdheut; të ndjesh padrejtësinë si një dhunë, si një dhimbje, në shpirtin tënd, në trupin tënd, sepse ky vend nuk ka barazi, ndershmëri, propabilitet për të gjithë, ndërsa vendi yt është edhe ai si një trup dhe turp i shëmtuar mes zhelesh që mbështjellin historitë e frikshme të varfërisë, sepse e vodhën, e shqyen, e shëmtuan, pra, të jesh, të marrësh pjesë në këtë gjymtim  kombëtar, duarlidhur edhe mohuar, është e kotë të durosh, e ca më pak të presësh, e sidomos, aq më pak të shpresosh…

Demokracia e ditës në Shqipëri duket një iluzion! Por jo thjesht një iluzion! Klithma popullore është një notë që oshëtin nga telat e një sarkazme që shumica e ndjejnë të acartë: Në parlamentin shqiptar, e vetmja kërkesë për heqje imuniteti, është ajo e një deputeti të opozitës; dhimbja e ironisë fillon pikërisht këtu, por mbaron fatalisht atje tej. Asnjë zyrtar pasanik i sërës së lartë të mazhorancës nuk e ka parë se nuk ka pse ta shikojë prookurorinë as në ëndrat më të këqija, pavarësisht korrupsionit jashtëtokësor që ka mëkatuar shpirtrat e tyre. Mazhoranca mbase endrrat e këqija i ka me avionë që rrezikojnë të bien përposh nga furtunat, apo me zjarre në pronat e mëdha që fituan për shkak të pushtetit, po kursesi me kërcitje dyer gjykatash, apo me fytyra prokurorësh, që janë më të urtë se murgjërit ortodoksë, por jo më të pafajshëm se ata; politikanët e aferave në mazhorancë nuk e shohin  prokuroren e lartë, as si murgeshë dhe as si shenjtore, sepse edhe në gjumë edhe në  realitet, atyre aq ju bën për kullat dhe kukullat e drejtësisë në një vend që sundohet dhe grabitet përditë po prej tyre.

Përtej metaforave, të sundosh parlamentin kaq brutalisht, sa poshtërimi i llogjikës civile të shndrohet në një institucion marrëzie, kjo gjë ndodh vetëm në Shqipëri. Ironia dhemb hidhur në këtë vend miq. Mbas plagës përjetësisht të hapur të Gërdecit dhe vjedhjes trojane në rrugën e Kombit, fatkeqësia më e madhe e këtij populli nuk është se atë e vjedhin përditë, por se e poshtërojnë përditë. Puno ti, o njeri, ul kokën, ul veshët, ul prapanicën,beso ose jo, bej si të duash, por hej, qetësi, hesht, pusho, kur unë të ndëshkoj, të shtyp, të mohoj, të fut dorën në xhep, për të thithur lagështinë e jetës tënde. Sepse une di të thëthij, të vjedh, të mohoj, të shpërdoroj, të shkatëroj, të mbretëroj përgjithmonë.. Diskutohet pra mandati i një pushtetari që nuk ka pushtet, sepse është në opozitë, ndërsa korrupsioni i baronëve që janë në pushtet  ka lulëzuar karafilë të bardhë e të kuq në themelet e shtetit privat që ndërtoi kjo mazhorancë, keta baronë, me mandate hyjnore, që nuk mund t’i prekë askush, veç perëndisë.   Ministrat e përfolur dhe të llastuar të kësaj mazhorance, aq më shumë vezullojnë mbi kokat e bashkëkohësve të tyre, mes rreve të Atdheut, sa më shumë skandalet e hajdutërive të tyre bëjnë histori, antikitet, dhe shekspirizëm. Imuniteti i tyre është i betonuar në sigurinë makabre se prish, vraj, vidh, gënje, copëto, rrëmbe sa të duash e cfarë të duash, kjo tokë nuk ka gjemba për këmbët e tua, sa kohë je në pushtet.

Që nuk funksionon demokracia, këtë e kuptojnë edhe lopët e importuara hollandeze që prodhojnë qumësht të helmuar, sepse natyra në këtë vend është e sunduar nga plerat kombëtare dhe mbeturinat ndërkombëtare që shumë shpejt do t’i sjellë pranë tyre dhe pranë nesh kjo mazhorancë, kjo qeveri dhe këta bajraktarë pronarë të fatit njerëzor. Që shteti është privat dhe situata ekonomike-politike është më e rëndë se kurrë, këtë e ndjejnë edhe të urriturit në turma që kërkojnë e nuk gjejnë më ushqim as nëpër plehra, as ne ideologjira.  Që nuk ka punë, shpresë, gëzim, ardhmëri, kjo duket në ngutjen pritëse të komunitetit të papunë për të kërkuar punë jashtë vendit, mbas liberalizimit të vizave. C’mund të bëjnë këta njerëz të mjerë përballë pushtetarëve milionerë, që fati, zoti, nxitimi, gabimi, mallkimi, të gjitha këto, jua kanë  taksur të drejtojnë?…

Mungesa e demokracisë nuk është thjesht vetëm një lajm në këtë vend. Të presësh nuk do të thotë të durosh, si dikur. Kufijtë e llogjikës janë shkelur dhe jeta, qëllimi i saj, ekzistenca dhe filozofitë e krijimit sot apelojnë një ndryshim. Ndryshim tërësor të vetëdijes, për shkak të nevojës kolektive që mos mundet më askush të bëjë çtë dojë me këtë vend të cfilitur. Të ndryshojë vetëdija publike, kjo gjë është një problem i shtruar për zgjidhje; këta njerëz duhet të synojnë të organizohen drejt një qëllimi kolektiv, që është kundërshtia. Ata duhet t’i venë një kufi barbarisë. Qytetarët duhet ti venë fre babëzisë së pushtetit, vjedhjeve publike, duke parë fatin e zbehtë të fëmijëve të tyre, në sy, me guxim qytetar. Shteti duhet të pushojë së qëni biznes privat i klanit politik, që përbën një fatkeqësi politike tek ne, sepse synon dhe kërcënon papushim lirinë e njeriut. Zemërimi i shëndetshëm dhe rruga janë fuqi të mëdha, ashtu si protestat përbëjnë  bashkime të mëdha opinionesh të njerëzve që kanë të drejtë të mendojnë njëlloj për gjëra të ndryshme. Sepse nuk mund të ketë liri pas mjerimit që ka sjellë mungesa e lirisë.. Në këtë botë, nuk ka asgjë më të vlefshme se liria që duhet fituar serish…

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top