ARTISTËT SHQIPTARË
Nga Artan Mullaj
Para disa kohёsh takova rastësisht njërin nga fabulistët e rralluar shqiptarë, tё cilin nuk e njihja mё parё, por edhe tani emrin nuk ia mbaj mend. Ky takim në njërin nga lokalet e Tiranës, por edhe kjo lajthitje e kujtesës sime, janë njёherёsh arsyet e këtij meditimi të penduar e dëshpëruar. Haresën e pafalshme e përtypa me moskokëçarje dhe e gёlltita me shijen e zakonshmërisë që na edukon jeta shqiptare, por më pas, ndjesia e shpërfilljes instiktive për një njeri që merriton të kundërtën, vlerёsimin, sepse është artist dhe ka shkruar një vepёr, u zëvendësua njëherazi me vrasje ndërgjegjie.
Vrasje ndërgjegjie jo vetëm për haresën, por edhe për trasformimin e pakorigjueshëm që kemi pësuar, ndërsa jetojmë në një epokë ku zullumi ka sfiduar vëmendjen pёr tё bukurёn dhe shpërfillja ka shuar pasionin pёr tё krijuar. Në fakt problemi me vetveten është pikë së pari professional: ndërsa në shkrimet tona analitike synojmë të shpëtojme botën nga fshehja e së vërtetës, dora dorës, pa kuptuar as vetë, ne jemi shndruar në ingranazhe të një mekanizmi absurd që shkatëron që në embrion vlerat, krijimin dhe punën intelektuale.. (Aq më shumë që si krijues, si njeri i letrave, unë jam një nga ata që e kam ndjerë qysh herët përplasjen sureale mes pasionit të fortë për të shkruar dhe kotësisë së kësaj pune, në një botë ku ndjeshmëria artistike përditë e më shumë shitet si skizofreni).
Fabulisti pensionist që nuk i mbaj mend emrin, të cilit kokëulur i kërkoj ndjesë, mbante disa kopje nga libri i tij i fundit me fabula, ku kish shënuar edhe detikimet për miqtë dhe tё adhuruarit e tij që, pas ftesёs, i priste pikёrisht aty në lokal, tua jepte dhuratë: Dashamirёs tё librit, njerёz publikё, të rëndësishëm ose jo, tё njohur ose tё panjohur. Kafesë sonë iu bashkua aktori Mirush Kabashi, i cili e pranoi me finesë dhe dashamirësi librin e autorit, pa fshehur brishtësinë si keqardhje tё artistit, për kronikën e fatalitetit që shoqëron zakonisht krijimet e autorëve shqiptarë. Pastaj erdhi edhe fabulisti tjetër i njohur, Gjikë Kurtiqi, i cili e pranoi gjithashtu librin e detikuar me kënaqësi prej kolegu dhe patjetër me vetëdijen se është ngushullim i fortë të pranosh dhe durosh realitetin e pashpresë të botimeve të reja: pasi i publikojnё me vështirësi të mëdha, autorёt jua dhurojnё veprat e tyre miqve dhe lexohen vetëm nga ata, ose as nga ata, e më pas harohen… Erdhën edhe miq të tjerë të autorit, që unë nuk po i përmend, për arsye se nuk kam mund ta bëj këtë gjë pa miratimin re tyre, të cilët i shfletuan librat njëlloj si ne të tjerët, me kureshtje e dashamirësi, por edhe me urime pëshpëritëse për suksese që dihet se nuk mund të vijnë kurrë.
Shkrimtarёt kanë një mardhënie të veçantë me veprat e tyre. Ёshtё diçka si njё si një komunikim surreal nё njё jetё paralele qё vetёm ata mund edhe dinё tё krijojnё; ndjesia e pronësisë ndaj librave qё shkruajnё, përafron me atë që kanë prindërit për fëmijët. Në kohën tone, ndryshimi dhe problemi është se librat artistikё, këto vepra, për sa kohë nuk merren seriozisht nga askush dhe ndëshkohen njëherazi me indiferencë të plotë mediatike dhe instituticionale, shёmbёllejnё jetime, apo janë në mëshirën e fatit. Ёshtё njё perceptim qё duket si padrejtësi e ardhur nga asgjëja dhe mbase kjo gjë, mospёrfillja publike pёr krijimin letrar, në përmasat e një ç’ligjërimi, është shtytja për një dashuri më të madhe autorësh për veprat e tyre, ashtu si për jetimët, keqardhja është një shtysë kujtese për dashurinë e munguar… Sepse, krijuesit tanё, keqardhjen publike pёr veprat jetime, e kanë të vetmin shpërblim për punën që bëjnë.
Artistët tanë sot janё njё fuqi e mohuar! Ata përfaqësojnë pikërisht të kundërtën e asaj që duhej të përfaqësonin në rrethana të tjera, në rast se vlerat do të ishin vlera dhe botën të mos e sillte vërdallë diktatura e re e parasë.
Githsesi, nuk është thjesht pesimizëm ajo çka sjell sfida e autoritetit të munguar të arteve dhe letërsisë, në një shoqëri ku robotët janë më të ndjeshëm se ata që i prodhojnë ato dhe mania e fitimit është një hap larg babëzisë. Është gjëmë!. Dukë qënë një mungesë, bota shpirtërore e ka lënë me fashitjen e saj biologjinë e mishit në nivelet kafshërore, ku emocionet nuk janë të tilla por instikte të pakuptueshme të një ekzistence pa tharm e pa sharm… Shpirtërisht njerëzit tanë janë më të varfër se kurrë, rinia jonë është në dilemma morali dhe kjo gjë është diçka më fenomenale se fati i pashpresë i krijimeve qё nuk i merr askush seriozisht, edhe kur vlejnё, edhe kur nuk vlejnё… Njerëzit që lexojnë janë pakёsuar më shpejt se rrallohen arinjtë polarë, hipopotamёt dhe më shpejt se njerëzit e tjerё qё kanё nё dorё tё vlerёsojnё shpërthimet shpirtërore të atyre që ende ngulin kёmbё tё krijojnë… Në jetёn civile është krijuar psikoza e tmershme e tregut ku shitet e blihet diçka e gjithçka që lidhet me interes financiar edhe politkë, në varësi të luhatjes së aksioneve të tyre.
E dhimbshme por me sa duket kështu do të jetë. E ndërsa ka më shumë interes për mungesën e vlerave se për vlerat vetë, autorët e harruar do të shtohen në tryezat e vetmuara të kafeneve ku dhurohen libra dhe pëshpëritet nganjëherë për botimet e reja.
Këtu unë shënova detaje të dhimbshme të një pasioni me flatra, tё cilit i mungon hapёsira pёr tё fluturuar dhe qё që duhet shpërblyer, por që unë e shpërfilla vetë, për një moment me haresë. Fola për një fabulist që sapo i ka vënë flakën kursimeve të pleqërisë për të botuar një libër me fabula, që do ti shtohet poezive dhe romaneve të tjera, vështirësive të tjera, përpjekjeve të tjera, iluzioneve të shumë autorëve të tjerë, që nuk kishin edhe nuk do të kenë asnjë ndriçim ardhmërie për shkrimet e tyre qё vlejnё dhe natyrisht pёr ato qё nuk vlejnё… Kujë errësire tingëllon interesimi i paqënë për ato, ndërsa sfida duhet pranuar nga të gjithë. Vjeshta e krijimeve ka trokitur si një zhgënjim në qelitë e varfëra të atyre që padrejtësisht shpresojnё ende në vëmendje të reja, sepse ato nuk ekzistojnë. Sa më shumë reklama televizive të bombardojnë mëndjet e tyre përditë e përnatë dhe sa më shumë politika dhe politikanët të abuzojë me shkakun për të cilën ajo është krijuar dhe vazhdon të diktojë, aq më pak lexues do të kenë interes të shfletojnë…
Sepse sigurisht që duhet përmendur se politika dhe pushteti përmes saj, ashtu si edhe në fusha të tjera, ka rolin e saj në vrasjen e artit shqiptar dhe krijimit…
Arti ngjan me fenë. Kanë të njëjtën filozofi në misionet e tyre dhe të njëjtat arsye për të cilat ato ekzistojnë. Nëse feja ngrihet mbi frikën instiktive të njerëzimit ndaj vdekjes, pas së cilës është edhe Zoti, arti ngrihet mbi nevojën sociale qё njerёzit tё jenё të ndërgjegjshëm, të ndjeshëm e shpirtërisht të moralshëm, pra mbi vetë moralin. Nëse frika ndaj Zotit është e përjetshmme si Zoti, çka siguron përjetësi edhe për fenë, morali, jeta shpirtërore sot ,ndodhet në kapandriqin e fundit. Në shkatërim gjendet si rrjedhojë edhe arti, krijimi. Njerëzit, më shumë se kurrë sot janë gati të pranojnë se letërsia dhe artet kanë perënduar. Qё janë të paktë ata që besojnë se ato janë ende të dobishme, kjo gjë duket sistematikisht edhe në mënyrën e jetesës së rinisë sonë të “humbjes së dhimbshme të kohës”,të kafeneve,të pabeve dhe internetit, por edhe në shpërfilljen barbare të mediave.
Faqet e kulturës nëpër gazeta janë fokususar në thashetheme vipash dhe intervista mediokre këngëtarësh dhe pothuaj asnjë interpretim dhe kritikë letrare për botimet që çuditërisht ende ekzistojnë mes ndëshkimit të taksur informativ për ato, nuk gjen brenda tyre… Nuk dimë të mbështeten në media talentet e reja në letërsi, pikturë apo muzikë dhe nuk ka shanse shteti të programojë stimulimin financiar të këtyre talenteve që nuk dihen e njihen, por sigurisht ekzistojnë. Sepse ashtu si shteti, politika tek ne ёshtё private; pavarësisht nga kuptimi helen i kësaj fjale, ajo ka lënë pak hapësira publike pёr letёrsinё, për shkak të inercisë së saj tradicionale për të sfiduar e shkatëruar gjithçka.