You Are Here: Home » Gnomonologji » AQ SA S’GUXOJMË TË PRANOJMË HAPTAS… GJITHMONË E NJËJTA HISTORI….

AQ SA S’GUXOJMË TË PRANOJMË HAPTAS… GJITHMONË E NJËJTA HISTORI….

Shqipëroi: Lorena Stroka, MA in Specialised Translation

G. Zelianaios

Historia do të jetë gjithmonë e njëjta – asgjë nuk do ta zhgënjejë…

Dielli do të jetë lart, hëna do të dalë pas çdo muzgu, qielli do të rrijë përherë i etur, djemtë do të ndajnë vajzat dhe vajzat do të ndajnë djemtë. Burrat do të dashurojnë gratë e lënduara, dhe gratë do të dashurojnë burrat e bukur. Një shtëpi nuk do të jetë kurrë vendi ynë, një qytet kurrë nëna jonë.

Do t’i ndajmë të gjitha dhe gjithmonë do të vjedhim, do të premtojmë se do të bëhemi më të mirë, dhe shumë shpejt do të harrojmë. Do qëndrojmë gjithë natën pa gjumë pas një shpine që na ushqen me ëndrra deri në agim. Sa herë që bie shi do të dëgjojmë Tom Waits, dhe të nesërmen në mëngjes do të japim fjalën se do të ndërpresim pijen. Do themi se do të bëhemi më të mirë, dhe se do të ndryshojmë për hir të asaj. Do të ikim larg çdo pune që na sjellë neveri dhe do të zgjedhim një udhëtim të pakuptimtë. Nuk do ta rregullojmë kurrë jetën tonë, do të tradhtojmë akoma dhe qenin që na shoqëron deri te dera e shtëpisë.

Çdo verë do të paguajmë dikë për pak liri, dhe çdo dimër do të na marrë pas përsëri aq sa na dha bujarisht. Do të përzëmë fantazmat, por ato do të na kujtojnë përmbytjen e pjekurisë dhe dashuritë përfundimtare. Do qajmë dhe do qeshim. Do të qeshim me ato që qajmë, dhe do të qajmë me ato që qeshim. Të afërmit tanë do të jenë dy pirgje me rroba dhe rrugët do të qërojnë shërbyesit e gënjeshtrës. Do të kërcejmë në vendet që na durojnë dhe me njerëzit që na kujtojnë se ç’do të thotë miqësi. Një mbremje do të  ndajmë në pijetore sekretet tona me një të panjohur ose dikë që nuk do të shohim përsëri. Thellësisht, do të kemi zili dhe do të dëshirojmë arritjet e fqinjit tonë, megjithëse do ta përqafojmë me dashuri dhe adhurim./AlbStroka.com/

© AlbStroka.com

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top