You Are Here: Home » Të ndryshme » AMBASADORJA E HOLLANDËS DHE MBETURINAT NË SHQIPËRI

AMBASADORJA E HOLLANDËS DHE MBETURINAT NË SHQIPËRI

Nga Artan Mullaj 

Ndërsa është duke u larguar nga vendi ynë, ambasadorja e nderuar e Hollandës thuaj na induktoi një perceptim të ri te trishtë për veten dhe për ambjentin, ndërsa na kujtoi me psherëtimë pleherat masive që gjithë ne kemi për vite me rradhë nëpër këmbë. E hidhur sa një ironi, shuplaka që përfaqësuesja perëndimore na hoqi dashamirësisht, dha efektin pa efekte që pritej. Kryeministri i vendit urdhëroi krijimin e një task- force te re pastrimi, që si cdo fushatë në jetën e sotme institucionale filloi rrëmbyeshëm me dëshirën e brishtë për të fituar jo rezultat, jo civilizim, por vetëm përshtypje.

Ambasadorja nuk u mor me shkaqet e e pisllëkut, por me pasojat që dëndësia e tmerrshme teritoriale e plerave në Shqipëri mund të sjellë për ambjentin dhe për shëndetin publik… Por ajo aktivizoi me delikatesë per ne, nënkuptimin e hidhur: “Teritori juaj zonja dhe zotërinj, të kujton amvisen me duart në brumë, që fshin hundët me mëngë dhe ka thonjtë e paprerë!”

Vrulli shtetëror për të pastruar teritorin nga plerat, dhe vetëdijen publike nga poshtërimi që sjell mungesa e nje elementi kaq të brishtë, sic është higjena, ashtu si cdo reformë kuturu, që shteti ndërmer nga makthi për të vërtetuar ekzistencën e tij, do të pushojë shpejt. Të gjithë e dimë. Është dicka e ngjashme me “FSHESAT” e Greqisë ndaj emigrantëve shqiptarë. Sa me shume fshesat synonin pastrimin e ilegalëve, aq më shumë numuri i tyre rritej në teritorin helen… Janë ndërmarë disa herë aksione rrufe pastrimesh, me kujdesin e drejtpërdrejtë ose jo të kryeministrit, sa herë që atij ndonjë zonjë e huaj apo ndonje turist potencial ja fryn në vesh këtë gjë, por mbeturinat përkundrazi  janë shtuar tek ne, turpërisht. Janë shndruar në një ylber simbolesh të këqija, ku turpi kolektiv përzihet me kokëfortësinë e një realiteti të keq.

Mbeturinat janë si këmbana zgjimesh të ndruajtura, na shqetësojnë me përshtypje të vrazhda cdo moment… I kemi në jetën tonë, si piramida të neveritshme misteresh, ku shkaqet janë të padukshme. Prandaj zonja nga Hollanda e konsumoi deri në fund finesën për të na thënë gjithashtu: Njerëz, bëhet fjalë për civilizimin tuaj, kërkoni shkaqet e pisllëkut që iu përbalt dinjitetin, që të mund të jetoni njerëzisht e me dinjitet në pastërti…

Përse atdheu ynë është shndruar në një mozaik turpi, me plera dhe mbeturina të shpërndara simetrikisht në cdo metër katror teritori të banuar, nëpërr rrugë nacionale, nëpër plazhe, përreth banesave, kudo? Sepse, ose shteti është i paaftë të përmbushë këtë detyrim publik në misionin që ka, ose shtetasit tanë ende nuk kanë atë nivel civilizimi që nëvojitet për ta marrë seriozisht sa duhet ky problem, për të jetuar më gjelbër.  Ose, më keq akoma, kjo është një cështje gjenetike, cka do të thotë se në kemi lëvruar në nëndijen tona zakonin e keq të shpërfilljes së pastërtisë publike. A është e mundur të shndrohet në një instikt të pamposhtur shpërfillja e higjenës së ambjentit? Me sa duket, po… Sot, në Shqipëri është e zakonshme të shohësh njerëz që fluturojnë mbeturinat nga ballkonet dhe dritaret e tyre… Sot janë jo të paktë bajraktarët e atmosferës, kryeqytetasit të zbritur së fundmi nga malet, që krijojnë thuaj përditë tymnaja lagjesh me zjare mbeturinash e lëndësh të rezikshme, më të mëdhenj se ata të ditës së verës,ndërsa djegin masivet e plerave duke helmosur mushkëritë e brishta të fëmijëve,dhe askush nuk shqetësohet për shtimin e tyre. Askush nuk ankohet, askush nuk di ku të ankohet, askujt nuk i hyn gjemb në këmbë. Sot, pa fjalë, liria e shfryrjes së tyre, konkuron vullkanin në Islandë, ndërsa dëmi ekologjik është i pallogaritshëm. Sot, tymnajat në qiejt e qyteteve tona janë një gjë e zakonshme dhe sot, plazhet tona janë hale mbeturinash, ndërsa bidonat plastikë janë më të shumta se peshqit në det. Sot, qeskat e pafundme të hedhura nga udhëtarët në cdo rrugë e qoshe konkurojnë emblemat e halleve pa fund të shqiptarëve, që me sa duket nuk e kanë më në listën e halleve pisllëkun.

Këta jemi ne, kjo është higjena jonë e shpërfillur!

Në një fare mënyre, shpërfillja kolektive e pastërtisë mund të justifikojë edhe vullnetin e pavullnetshëm të shtetit për të sistemuar këtë problem shkatërues…  Ngaqë ky shtet nuk bën asgjë seriozisht për pastrimin e teritorit, tregon se në mendjet e shtetarëve, ashtu si në mëndjet e qytetarëve, inercia e pisllëkut vazhdon njëlloj në formën e një presioni të papërballueshëm. Duket se shteti i ka larë duart nga kjo histori, mbasi e ka kuptuar se shpresat për të jetuar pa mbeturina janë dicka që nuk ekzistojnë,prandaj është mjaftuar me krijimin e task-forc kukullave, për të luftuar paqësisht mbeturinat, që më shumë se në teren ekzistojnë në mëndjet e tyre.

Turistët e huaj hyjnë buzëqeshur në Shqipëri dhe dalin me nëqeshje të trishta, dhe më dilema të trishta për situatën makabre të një teritori ku jetojnë njerëz të cilët së shpejti do mund të hyjnë pa viza në shtetet e tyre të perëndimit…  Dilema jo për shkaqet e katastrofës ambjentale, por për vullnetin e munguar kolektiv të kësaj shoqërie.  Ashtu si për ambasadoren hollandeze në largim, për cdo të huaj, është e pakuptueshme kjo paqe kombëtare me pisllëkun sistematik e gjeografik të teritorit… Nënqeshja e trishtë në largimet e tyre, mbase vjen nga paqartësia e tyre dhe paaftësia për të kuptuar se përse as shteti, as shoqëria nuk e marrin seriozisht dicka kaq të rëndësishme për kualitetin e jetës së tyre dhe sidomos për shëndetin e tyre… Kjo është një analizë komplekse për një perëndimor që e ka të vështirë të perceptojë të kundërtën e psikozës që instalon tek njeriu vlerën e shëndetit pra vlerën e jetesës.Vetëm nëse fantasia e harbuar e ndonjërit kalon kufijtë e arsyes për arsyetime substanciale,mund të ketë përfundime të tjera, nënkuptime të tjera… Doza e trishtimit në nënqeshjen e imagjinuar të ndonjë evropiani fantasist ndoshta vjen ngaqë ai ka kuptuar se morali njerëzor këtu gjendet në pikën e fundit! Kur klithmat e një jete ku përpjekjet nuk cojnë asgjëkundi, prekin qiellin, kur dëshira për të arritur i ngjan një litari të këputur në mes, kur drejtësia është private dhe liria është iluzion, ambjenti i shpërdoruar është vetëm etaloni i pistë i këtij zhvillimi të keq të kësaj  shoqërie.. Është një matës depresioni,matës I sarkazmës së jetës dhe matës I krizës së vetëdijes të një komuniteti që rrezikon vetveten dhe sillet si kamikaz  jo nga besimi, por nga dëshpërimi që vjen prej besimit se ky vend vështirë të bëhet ndonjëherë.

Ka një shpresë reale që fshihet brenda nesh, për të jetuar pastër në një ambjent të shëndetshëm. Nëndija e njerëzve duhet të bombardohet papushim me ashpërsinë e ligjeve që duhet të bëjë shteti për të rruajtur ambjentin, por ligje të tilla nuk mund të bëjë vecse një shtet publik. Pra duhet të kemi një shtet publik, që ne nuk e kemi. Që të mund të kemi një shtet publik, nëndija e pushtetarëve bajraktarë, duhet të bombardohet nga presioni kolektiv i publikut,në mënyrë që këta të fillojnë të  mos vjedhin më e abuzojnë,dhe të kuptojnë rolin e tyre dhe shkakun përse janë zgjedhur…  Nëse nuk ndodh kjo, atëhere klasës politike i ka ardhur data e skadencës, duhet ndryshuar. Ky është një problem i sovranit. Në fund të fundit, nëse shteti ynë është privat, kjo është një përgjegjësi kolektive. Përgjegjësi kolektive është dhënia gabim e pushtetit, si ka ndodhur gjithë këta vjet, dhe pikërisht, këtu buron vicioziteti dhe fataliteti i gjërave…

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top