You Are Here: Home » Mjekësi » A MUNDET NJË PERSON SEROPOZITIV TË BËJË FËMIJË?

A MUNDET NJË PERSON SEROPOZITIV TË BËJË FËMIJË?

seropozitivet-mund-te-bejne-femije-artikuj-nga-lorena-stroka-wikipedia-biografia-facebook-gazeta-albstrokaNga Lorena Stroka

Në të kaluarën e afërt, hedhja në tryezë e një çështjeje të tillë, do të shëmbëllënte më shumë me një skenar imagjinar sesa një arritje të mundshme.

Zbulimet e fundit, jo vetëm përgënjeshtrojnë më së miri bindjet e krijuara në vite, por në të njëjtën kohë ndezin dritën jeshile për… prindërim gati-gati të sigurtë. Një person seropozitiv, në kushte të caktuara, dhe me programim të nevojshëm mund të bëjë fëmijë. Në përputhje me udhëzimet ndërkombëtare, në rast se burri është seropozitiv dhe gruaja seronegative, ka dy mënyra që të lindin fëmijë të shëndetshëm.

Me riprodhim të asistuar: Përbëhet nga dy metoda: ajo e inseminimit intrauterinë, që paraprihet nga procesi i “larjes” së spermës (proces gjatë të cilit veçohen spermatozoidet nga lëngu seminal (HIV gjendet te lëngu seminal, jo te spermatozoidet) dhe fekondimi in vitro. Këto metoda janë provuar plotësisht të sigurta dhe pa raportime dështimi. Nga rastet e deritanishme, asnjë burrë seropozitiv nuk është vërejtur të ketë infektuar partneren seronegative apo fëmijën.

Për t’iu nënshtruar Riprodhimit të Asistuar, personat seropozitivë duhet të plotësojnë kushtet e mëposhtme:

  • Të marrin trajtimin e duhur antiretroviral (HAART)
  • Të kenë gjendje të qëndrueshme fizike/psikologjike
  • Të kenë vërtetim nga mjeku për monitorim të rregullt në përputhje me trajtimin e duhur për të paktën 1 vit
  • Të mos shfaqin infeksione oportune apo komplikime serioze të lidhura me HIV
  • T’i kenë vlerat e limfociteve mbi 300 për mm dhe ngarkesën virale nën 50 kopje/ml

Me marrëdhënie seksuale: Nëse një person seropozitiv merr trajtimin përkatës dhe ka ngarkesë virale të paidentifikueshme, për më shumë se gjashtë muaj, atëherë cilësohet i parrezikshëm dhe jo ngjitës, rrjedhimisht i aftë për të bërë fëmijë. Pas këtij zbulimi, shumë mjekë rekomandojnë që ngjizja të kryhet “klasikisht”, pra përmes marrëdhënieve seksuale, pa masa mbrojtëse, kryesisht gjatë ditëve pjellore – kjo vlen për të gjithë ata që përveç plotësimit të kushteve paraprake, të mos vuajnë nga sëmundje të tjera ngjitëse. Natyrisht, pas arritjes së qëllimit, çifti është mirë t’i rikthehet përdorimit të prezervativit, pasi periudha e shtatzënisë e bën gruan më të prekshme/ndjeshme ndaj transmetimit të HIV-it./albstroka.com/

© AlbStroka.com

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top