A besoni në ëndrra?
Nuk e di se sa prej jush besojnë në ëndrra dhe pse! Personalisht, më ndodhte diçka e çuditshme sa herë që shihja ndonjë ëndërr (jo të zakonshme) pyesja njerëz të moshuar për domethënien e saj, kur më thonin: “Mos u shqetëso, ëndrra është pozitive”, gëzohesha, ndërsa kur dëgjoja të kundërtën… thoja ëndrrat ëndrra janë, mjerë kush i beson. Ma merr mendja se të njëjtin reagim ka shumica e njerëzve. Megjithatë, thellësisht, më brente dëshira për të mësuar se çfarë fshihej pas tyre. Kështu, një paradite me diell vendosa të bëj një shëtitje në disa librari të Athinës. Pasi vizitova disa prej tyre, pa gjetur diçka të përshtatshme, më ra në sy një librari që shiste libra të vjetër.
– Ç’punë kam unë mes librave të pluhurosur, mendova?!
Nuk kisha bërë as dhjetë hapa, kur një zë brenda meje më tha: “Shko, fundja nuk humbet gjë!” Hyra pra brenda, në pamje të parë nuk ishte ndonjë mjedis tërheqës, pluhuri kishte marrë dhenë, librat ishin të përhapur ngado, ca në rafte të grira nga mola, e ca të tjerë stivosur njëri mbi tjetrin në dysheme. Libërshitësi, një burrë rreth të gjashtëdhjetave, krejt i thinjur, me rrudha të thelluara fytyrës po sistemonte ca kuti nën banak.
– “Mirëmëngjes!”
– “Mirëmëngjes”, ma ktheu.
– “Do doja të më ndihmonit për një libër ëndrrash, kam kërkuar në dhjetra librari, por ende nuk kam arritur të gjej një të përshtatshëm”.
– “Libër ëndrrash? Keni ndërmend ndonjë botim të veçantë?”
– “Jo, nuk kam! Fundja, kjo është arsyeja që po kërkoj ndihmën tuaj.”
– “Me gjithë qejf! Të rinjtë sot nuk lexojnë, aq më tepër libra të tillë…” tha me dëshpërim.
– “Deri diku keni të drejtë, megjithatë miqtë e vërtetë të librit nuk e braktisin kurrë atë.”
– “Mendoj se kam një libër që do t’ju pëlqejë, nuk është shumë i vjetër, por është botim i rrallë, ia vlen ta lexosh” – më tha gjithë mirësi.
– “Për mua nuk ka dhe aq rëndësi kronologjia e librit, por përmbajtja e tij, kjo më intereson mua” – ia ktheva unë.
– “Keni të drejtë, cilësia mbi të gjitha.”
Për momentin filloi të prekte i menduar mjekrën e zbardhur.
– “Ah, ku ta kem vendosur moj vajzë, kam veç një kopje të tij, do ta kem strukur në ndonjë raft. Siç ju thashë libra të tillë nuk para më kërkojnë… nejse…”
Ndërkohë që po shfletoja ca libra të tjerë e pashë tek po vinte me një libër në dorë. Pa e lënë të fliste e pyeta:
– “Ky është libri?”
– “Po, ky është…”
Ia mora nga duart dhe nisa ta shfletoj menjëherë… atë çast kuptova se sapo kisha gjetur librin që do të më shpjegonte shumë gjëra që nuk dija.
– “Me sa shikoj jeni entuziazmuar”, më tha.
– “Po, keni të drejtë, kështu është.”
– “Ju lutem, sa ju detyrohem?”
– “14.90 euro”, mu përgjigj.
– “Urdhëroni, faleminderit dhe punë të mbarë.”
– “Mirëupafshim dhe lexim të këndshëm.”
Sapo dola nga libraria me botime të vjetra, prisja me padurim të shkoja në shtëpi e ta lexoja shtruar, pa zhurma automjetesh, pa zëra njerëzish, në qetësi të plotë. Brenda tre orësh e kishe lexuar të tërin, me një frymë. Aty kuptova se ëndrrat nuk janë të rastësishme, pa kuptim, ato fshehin mesazhe dhe fakte që së shpejti do të ndodhin. Imagjinoni çdo ngjyrë, numër apo veprim ka një interpretim të veçantë. Ndoshta pa e lexuar mund të mendoni se bëhet fjalë për ekzagjirime, por në rast se e shfletoni do të më kujtoni dhe kuptoni. Secili prej nesh duhet të ketë në bibliotekën personale një libër të tillë. Librat që qarkullojnë në treg lidhur me interpretimin e ëndrrave janë nga më të ndryshmit, prandaj nevojitet një përzgjedhje e kujdesshme. Pa dashur të tregoj përbuzje ndaj librave të shkruar në gjuhën shqipe, mendoj se aty nuk ekzistojnë botime të mirëfillta të paktën mbi këtë temë, prandaj një mendim i mirë do të ishte blerja e tyre jashtë vendit. Personalisht, do t’ju sugjeroja këtë libër të mrekullueshëm në greqisht (historinë e të cilit ju rrëfeva pak më lart) , është një botim goxha i vjetër, mbi tridhjetë vjet dhe përbëhet nga 318 faqe. Ka ilustrime të magjishme, është i shkruar me rradhë alfabetike dhe gjuha e përdorur është e kuptueshme nga të gjithë. Libri është botuar nga shtëpia botuese DAMIANOS.
© 2011: Ndalohet ribotimi i shkrimit pa autorizimin e autores.