You Are Here: Home » Mjekësi » Trombocite nga staminalet

Trombocite nga staminalet

Nga Lorena Stroka

Pacientët që i nënshtrohen kimeoterapive apo transplantimit të organeve, në të ardhmen, do të mund të bëjnë transfuzion trombocitesh, të cilat do të vijnë  nga embrionet njerëzore, duke eleminuar kështu nevojën për gjetje donatorësh.

Të paktën, këtë premtojnë specialistët e kompanisë Amerikane Advanced Cell Technology (ACT), të cilët arritën të prodhojnë trombocite nga qelizat burimore embrionale, dhe vërtetuan se trombocitet që prodhuan në laborator mund të çojnë në përtëritjen e indeve të dëmtuara.

Trombocitet luajnë rol-kyç në procesin kompleks të koagulimit (mpiksjes) të gjakut. Pa këto, indet e dëmtuara nuk mund të mbyllen shpejt dhe ashtu siç duhet, ndërsa ekziston dhe rreziku i vdekjes së pacientit për shkak të gjakderdhjes së brendshme.

Sot, mbledhja e trombociteve bazohet te donatorët e gjakut, megjithëse trombocitet nuk mund të ruhen në ngrirje, pasi nuk mund të rezistojnë më shumë se dhjetë ditë.

Nevoja e përhershme për trombocite ka çuar në mungesë të madhe, në shkallë botërore, si rezultat i kësaj, specialistët kërkojnë mënyra të ndryshme gjetjeje. Ekspertët e ACT arritën të prodhojnë një numër të madh trombocitesh.

Trombocitet e prodhuara u siguruan nga një numër i madh qelizash burimore të cilat kishin si “burim” një embrion që kishte ardhur nga fertilizimi in vitro.

Qelizat burimore fillimisht u konvertuan në megakariocite – qeliza të mëdha shumëbërthamore që ndodhen në palcën e kockave. Në vazhdim, megakariocitet u shndërruan në trombocite të pjekura.

Sipas drejtorit shkencor të ACT dr. Robert Lanza, mund të ketë një mënyrë tjetër prodhimi trombocitesh, pa përdorimin e qelizave burimore embrionale, por me përdorimin e qelizave iPS (që vijnë nga qelizat e lëkurës së të rriturve).

© Ndalohet ribotimi i shkrimit pa autorizimin e autores.

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top