PËRSHËNDETJE NGA LONDRA!
Nga Lorena Stroka
Po ç’është kjo punë kështu me mua? Mungesa, mungesa dhe përsëri mungesa – për mirë ama. Marsin e sivjetshëm do ta cilësoja si muajin më të bukur të së paku 3-4 viteve të fundit. Sinqerisht e kam shijuar pafundësisht në çdo aspekt.
Megjithëse nuk ia çoj mirë me surprizat, domethënë jam më tepër tip që pëlqen organizimin-planifikimin, këtë herë udhëtimi në Londër që më pati rezervuar im shoq më kënaqi tejmase, ose më saktë, na kënaqi, pasi bashkë shkuam!
Kishin kaluar vite nga hera e fundit që kisha qenë aty. Ndryshimi më i madh që konstatova ishte në infrastrukturë, çuditërisht ishin hapur shumë dyqane e pub-e të reja, ato që nuk kishin ndryshuar aspak ishin koha me shi, qielli gri, i ftohti therrës dhe fytyrat e përskuqura të londinezëve!
Me të zbritur në aeroport, u nisëm fill për në hotel! Pasi u qetësuam një copë herë aty, hodhëm çantat në shpinë, dhe iu futëm me kokë pikave turistike të Londrës. Megjithëse nuk ishte hera e parë që i vizitoja, interesi për t’i riparë, nuk më ishte shuar, e gjithë kjo funksionoi në njëfarë mënyre si rifreskim kujtimesh nga e kaluara.
Londra është një qytet i gjallë, me diversitet kulturash, me mjaft pika tregtare e turistike, por me gastronomi disi të dobët (kryesisht për shijet e mia).
Në qoftë se nuk e keni vizituar ndonjëherë, por e keni në plan ta bëni një ditë, do t’ju rekomandoja të vizitonit vendet e mëposhtme. Keni për t’i mbajtur mend gjatë!
Big Ben – Houses of Parliament
Një nga vendet ku ia vlen t’i ndalni hapat, e të bëni një foto para orës më të famshme në botë, e cila numëron minutat këtu e 170 vjet, ndërkohë që sfondi zbukurohet nga ndërtesat mbresëlënëse të Parlamentit Britanik.
Muzeu Britanik
Dhe tifozë muzeumesh të mos jeni, një shëtitje aty mes mermereve të Partenonit, koleksioneve egjiptiane dhe të lindjes së mesme, me siguri do t’ju bëjë të ndërroni mendim.
Tower of London – Kulla e Londrës
Vizita në burgjet e vjetra është një mënyrë e mirë për t’u njohur me historinë e Londrës, bizhuteritë e kurorës dhe korbët në oborr. Legjenda thotë se po u larguan prej andej, kulla do të shkatërrohet dhe perandoria do të shembet!
Tate Modern
Bëhet fjalë për një ish fabrikë e furnizimit me energji elektrike, e cila në vitin 2000 u transformua në një ndër muzeumet më të mira të artit bashkëkohor.
Covent Garden
Një nga tregjet më të famshme të Europës, pjesërisht e shtruar me kalldrëm, e zbukuruar me dritare të harkuara, xhonglerë, artistë rruge, restorante, dhe përplot vizitorë nga e gjithë bota.
National Gallery – Galeria Kombëtare
Galeria më e rëndësishme në vend dhe një ndër më të mëdhatë e botës, e pasur me piktura të Leonardo da Vinci-t, Van Gogh-ut etj.
Hyde Park
Nëse keni kohë për të parë vetëm një park, atëherë zgjidhni doemos Hyde Park. Do të ecni krah Gallery Serpentine, duke parë nga afër ketrat më të lezetshëm.
London Eye
Pjesa më e bukur e Londrës, rrota që u ndërtua për të mirëpritur Millenium dhe përfundimisht qëndroi aty përgjithmonë – duke u kthyer kështu në një prej landmarks më të mira të qytetit.
Madame Tussauds
Një muze ndryshe nga të tjerët, në të ekspozohen portrete prej dylli politikanësh, sportistësh dhe artistësh nga e gjithë bota. Edhe pse jo gjitha të goditura, ose disi të ekzagjeruara, vazhdon të tërheqë mijëra turistë çdo ditë.
Soho
Lagja më karakteristike – tashmë – ndër më të vizituarat e Londrës, për shkak të gjallërisë që e karakterizon, mungesës së dallimit racor dhe seksual. Dyqanet dhe restorantet e saj janë të hapura për gjithkënd. Kombinojeni atë me një vizitë në Chinatown – jo vetëm për folkloritetin që ofron, por edhe për mezetë e famshme dim sum./albstroka.com/