You Are Here: Home » Të ndryshme » Uncategorized » FASHIZMI I BUKURISË!

FASHIZMI I BUKURISË!

lorena-stroka-shkrime-gazetare-wikipedia-biografia-skica-gazeta-albstroka-artikujNga Lorena Stroka

Me Albën njihemi prej vitesh, qysh nga vitet shkollore. Kur unë isha në vit të parë të shkollës së mesme, ajo ishte studente në vitin e dytë të shkollës së lartë. Pavarësisht diferencës së moshës, kishim një kimi mjaft të mirë me njëra-tjetrën. Ndanim të njëjtin pasion për muzikën e huaj, librat e Gibran-it, koleksionet e rralla etj., etj!

Pas largimit tim prej andej, por dhe diplomimit të saj si ekonomiste, marrëdhëniet tona natyrshëm u rralluan. Për sa kohë jetoja në Shqipëri, komunikimi ynë vijonte përmes letërkëmbimit! Më vonë, humbëm!

Gjatë gjithë këtyre viteve nuk kisha mësuar asgjë për të.
Çdo përpjekje për ta identifikuar në Internet kish rezultuar e pafrytshme!
Po doni ju që sikurse unë, ashtu edhe ajo kërkonte për mua! Telepati quhet kjo?!
Derisa një ditë të nxehtë gushti në postën elektronike më vjen një mesazh prej saj!

Disi kështu filluam të komunikonim sërish…

Ishte martuar relativisht herët, por vetëm pak muaj më parë kishte mundur të bëhej nënë! Dhjetë vitet e fundit punonte si ekonomiste në një nga bizneset më të njohura të Fierit.

Gjithsesi, pavarësisht lirshmërisë në të shprehur, vërejta njëfarë ndrydhje nga ana e saj, në lidhje me kontaktin optik. Dukej sikur këtë pjesë donte ta shmangte doemos! Ndaj dhe e pyeta drejtpërdrejt: Moj motër, po nuk do të më dërgosh ndonjë foto tënden?
Pas një heshtjeje dy ditore, më dërgoi dy foto, një të sajën, dhe një tjetër bashkë me të birin.

Kishte ndryshuar dukshëm, ishte maturuar, ëmbëlsuar, ashtu si çdo nënë e re. Pa arritur t’i përcillja përshtypjet e mia në lidhje me fotot, më shkroi vetë e para, duke më thënë se arsyeja që vonoi të m’i dërgonte, ishte sikleti që ndjente me trupin si pasojë e kilogramëve të marrë gjatë muajve të shtatzënisë! Sipas saj, pesha u bë shkak që ta shkarkonin edhe nga puna!

Dukej qartë, që pushimi nga puna i kishte ulur vetëbesimin, aq sa i vinte turp për dukjen e saj të jashtme.

Edhe pyes unë tani: Kur do të marrë fund fazhizmi i bukurisë? Kur do të përfundojë përbuzja ndaj personave mbipeshë apo më pak të bukur? Tek e fundit, ç’lidhje ka aftësia profesionale e dikujt me paraqitjen e jashtme? Si mund t’i tregosh daljen një personi që ka punuar me korrektësi absolute vite të tëra në biznesin tënd? Ku janë shoqatat për mbrojtjen e të drejtave të punonjësve? Ç’ligj i mbron këta punëdhënës tiranë? Kush mban përgjegjësi për psikologjinë e rënduar të këtyre individëve të diskriminuar? Kush vallë, kush?/albstroka.com/

© AlbStroka.com

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top