Një shëtitje mbreslënëse në “kopshtin zoologjik” AmbasadaShqiptare!!!
Nga Lorena Stroka
Ç’krenari të jesh shqiptar e të mburresh për institucionet përfaqësuese të vendit tënd?!!! Një ditë të ftohtë Janari, fati “i mirë” më drejtoi dhe mua në një nga ato portat e rënda shqiptare, ku mbizotëron veç drejtësia dhe solidariteti absolut… Fjalët mospërfillje dhe indiferencë pushtetare, janë të panjohura në fjalorin e bukur të udhëheqësve të hanit në fjalë… Eh sa bukur, sa bukur!!! Data e skadencës së pasaportës sime, ishte arsyeja që të shikoja dhe te jetoja nga afër mikpritjen tradicionale dhe kombëtare, që disa nga punonjësit e së ashtëquajturës Ambasadë Shqiptare më rezervonin. Kështu që ngaqë jetoja disi larg nga ambjentet ku strehoej ky institucion, vendosa që atë mëngjes të acartë të zgjohesha pak më herët. Në shoqërinë time kisha një shqiptar dhe një shoqe greke me të cilën jetojmë në të njëjten lagje. Hipëm në makinë, ishte ende errësirë, por pa e kuptuar fare pothuajse mbërritëm. Të dyja anët e rrugës ishin të mbipopulluara, ngado që të ktheje vështrimin shikoje fytyra të panjohura, të stresuara etj. Mesa dukej kishim shkuar më shpejt nga ç’duhej, kështu që duhej të prisnim deri sa të hapej porta kryesore, e cila ishte zaptuar nga disa 50-vjeçarë barkmëdhenj, të cilët shënjestëronin me sytë radar viktimat e rradhës. Zbrita nga makina, bleva disa kafe, dhe po prisja me agoni të madhe se kur do të mbaroja punë, pasi me pare kisha marre dhe numrin per te hyre. Nga xhami i makinës dëgjoj një trokitje këmbëngulëse, por ç’të shikoj një fytyrë të rrudhosur… i cili më kërkon të më pyes për diçka. E hap xhamin, dhe e pyes:
– Si mund t’ju ndihmoj?…
– “Unë jam ai që ka në dorë të të ndihmoje” – ma kthen ai
– Urdhëro – i them e prere
– Ç’hall ke? -më thotë – Do prokura, ndonje vule per ceritifikata?… Këtu jemi ne!!!
– Nuk e besoja dot, ishte hera e parë që më vinte fallsifikatori të më bënte pazare te tilla pa pikë turpi, dhe ku?! PARA AMBASADËS!!! Në çast ndërhyn njeriu im qe me shoqeronte, më shkel syrin dhe më lë të kuptoj që le t’i japim shpresa dhe ta lemë të shprehet…
– …dhe sa shkon e gjithe kjo? – e pyes une
– “Varet… tarifat fillojnë nga 50-100 euro” – me thote, ndërkohë që fytyra e tij kishte filluar të bëhej bojë-bojë. Kush e di ndoshta mendoi se do të më peshkonte shumë lehtë?!!!
– Mirë, mirë do mendohem dhe do të të kthej përgjigje
– “Mirë, por vendos shpejt, pasi kam shumë kërkesa dhe nuk e di nëse do të arrij t’ju shërbej të gjithëve sot” – me tha gjithe “seriozitet”
Tashmë kishte ardhur ora që të zbrisnim, dhe të hynim në ambjentet e brendshme të ambasadës. Thërrasin emrin tim, hyj brenda. Në politronë ulej një “zonje” rreth të 30-ve. Më shikon nga këmbët te koka, ndërkohë që në dorë mbante një çokollatë, …dhe ashtu siç po përtypej më thotë:
– Ç’DONI ZONJUSHË?… (Ndoshta mendoi se kisha shkuar per vizite miqesore, sa QESHARAKE!!!)
-U mundova të ruaja gjakftohtësinë, pasi kisha shkuar për punë dhe jo për grindje. Kështu që pa dashur të acaroj situatën, i shpjegova se nevojitesha një prokurë etj…
-“Pasaportën e keni me vete”?
– Sigurisht – … dhe menjëherë e nxjerr nga çanta dhe ia jap ta shikoje. I hedh një sy gjithë mospërfillje dhe më thotë:
– “Kjo ka mbaruar”
– Pikërisht, kjo është dhe arsyeja që ndodhem këtu – ia kthej unë
– “Atëhere shko dhe më sill një çertifikatë personale të gjashtëmujorit të fundit, sepse nuk kam sesi ta vërtetoj që ky është identiteti yt i vërtetë” -me drejtohet gjithe inat.
– Nuk kam çertifikatë të gjashtëmujorit të fundit, por mund t’ju tregoj kartën time studentore, gjithashtu siç e shikoni me këtë pasaportë kam shkuar disa herë në shqipëri…
– STOP SE MË LODHE! TJETRI!!!
Mospërfillja e punonjëses në fjalë kishte kaluar çdo kufi, të njëjtën gjë mund ta shprehte shumë lehtë me mënyrë të sjellëshme pa nevojitur të bëhet agresive dhe të mendoj se ishte në “çiflig të babait”. Shtrëngova dhëmbët fort dhe i thashë veçse: Turp të keni!!! Dola jashtë kopshtit zoologjik… Nervozizmin që ndjeja nuk e fshija dot, sesi arrita të kaloja në mes të turmës së hallexhinjëve as vetë se kuptova. Por, kur si për çudi përballem me të njëjtën fytyrë fallsifikatori.
– “Hë ç’bëre mbarove punë?” – më pyet
– JO!
– “Nëse do që të mbarosh punë shpejt, pa u përballur me burrokracinë, më jep 70 euro dhe për 30 minuta do ta kesh dokumentin në dorë”
– Fillova ta mendoj seriozisht ofertën e tij. Ok, i thashë, i shpjegova se ç’doja, dhe për 30 minuta më jep dokumentin në dorë, i cili mbante vulën e vërtetë të ambasadës. Pas shumë përpjekjesh arrij të rihyj brenda mureve të ambasadës “zonja” sapo më shikon zbehet në fytyrë.
– “A nuk mbaruam bashke?”
– Jo, tani sapo filluam – ia kthej une
– “Nuk ju kuptoj”
– Mua nuk më kuptoni por firmën tuaj jam e sigurtë që e njihni mirë – i them -duke i hedhur mbi tavolinë dokumentin në fjalë.
Fillimisht, u mundua të më nxirrte të çmendur, por më pas “falja” e saj vërtetoi aktin e paligjshëm dhe të pandershëm që kishte ekzekutuar disa minuta më parë. Dokumentin ia lashë në vend, dhe ika duke e parë me keqardhje… është e vetmja gjë që mund të ndjesh për këto parazita bashkëkohore me nënshtetësi shqiptare. Siç u vërtetua fallsifikatori nuk ishte aspak i tillë, por thjesht një bashkëpuntor i jashtëm i kopshtit zoologjik… Pa diskutim që këtë shëtitje mbresëlënëse në “kopshtin zoologjik” Ambasada Shqiptare, nuk mund ta lija pa e ndarë me ju. Nëse rastis që shkrimin në fjalë ta lexoje ndonjë emigrant shqiptar jam e sigurtë që diçka do t’i kujtoje…