You Are Here: Home » Mjekësi » Bukuri » SI T’I BËJMË FLOKËT TË NA RRITEN MË SHPEJT

SI T’I BËJMË FLOKËT TË NA RRITEN MË SHPEJT

ALBSTROKA-BLOG-LORENA-STROKA-SHKRIME-MASKA-FLOKESH© Lorena Stroka

Përshëndetje të gjithëve!

Në fakt, këtë shkrimin e kisha në plan ta postoja disa ditë më parë, por, për shkak të një humbjeje që patëm në familje, automatikisht u anulua. Sot, duke qenë se ndihem disi më e kthjellët psikologjikisht, pas gjithë asaj që ndodhi, vendosa të rikthehem këtu, te “shtëpia ime” virtuale, jo për t’u qaravitur, siç duan të besojnë disa “dashamirës”. Qëndrimi i dobët (që ata presin të shohin) bie ndesh me natyrën time dinamike e të pavarur. Më vjen keq që po i zhgënjej, por jo, s’kam ndërmend t’u jap kënaqësinë e keqardhjes, as virtualisht, as realisht. Jam tepër e fort për t’u thyer kaq lehtë!

Thjesht, në këto raste, të shkruarit, është një mënyrë e mirë çlirimi, të largon për pak nga mendimet e pakëndshme. Kaq lidhur me këtë temë!

Siç e kam përsëritur edhe në të kaluarën, shumë herë përmes pyetjeve tuaja më jepni ide të larmishme për postime të reja. Për shembull, një vajzë e quajtur Bona, më kërkoi t’i rekomandoja një recetë për zgjatjen e flokëve. Si duket, ajo duhet të jetë një lexuese e e re faqes, sepse po të kishte qenë e vjetër, me siguri do t’i kishte kapur syri disa postime të vjetra që unë kam bërë në lidhje me volumin e flokëve. Megjithatë, nuk ka problem, kjo është një mundësi e mirë për të shtuar edhe disa gjëra të reja.

Një mënyrë e mirë për rritjen e flokëve është masazhi me vajra që duhet t’i bëhet rregullisht lëkurës së kokës. Kjo do të rrisë qarkullimin e gjakut, do të nxisë forcimin e rrënjëve si dhe do të ndihmojë në ushqyerjen e folikulave. Nuk duhet përdorur çfarëdo lloj vaji, por vetëm ullri, bajameje, kastori, kokosi dhe rozmarine. Veçanërisht vaji i rozmarinës, njihet prej shekujsh si një prej përbërësve më kryesorë për forcimin dhe rritjen e flokëve. Në qoftë se keni flokë të yndyrshëm, përdoreni vetëm një herë në javë.

Një tjetër hero i padukshëm që nxit mbushjen e fijeve në brendësi është vaji i kastorit. Së pari, ka veti antibakteriale, që ndihmojnë në ruajtjen e shëndetit të lëkurës së kokës, gjë thelbësore për rritjen e flokëve. Së dyti, është i pasur me acide yndyrore omega-3, vitaminë E, proteina dhe plot ushqyes të tjerë të domosdoshëm, që pasi depërtojnë në flokët e thatë, rikthejnë hidratimin e duhur. Çfarë të bëni? Aplikojeni në flokë të thatë, mbështillini me një kapuc dhe pastaj thajini me tharëse flokësh.

Gjithashtu nëse flokët tuaja këputen lehtë dhe shpejt, zakonisht para se të arrijnë te supet, maska me vezë do t’ju ndihmojë shumë. Vezët përmbajnë lecithin dhe proteina, të cilat kontribuojnë në forcimin  dhe ushqyerjen e flokëve. Mjafton të kryeni maskën e mëposhtme:

 Përbërësit

2 të verdha veze

2 lugë gjelle vaj koksi

1 gotë me ujë

 Përgatitja

Në një enë të vogël përzieni mirë së bashku të gjithë përbërësit e cituar më lart, derisa të krijohet një masë homogjene. Pastaj, apikojeni në flokë nga rrënjët te bishtat duke bërë masazh të lehtë për rreth 15 minuta. Në fund, kryeni larjen si zakonisht. Për efekte sa më të mira, përsëriteni 3 herë në javë./albstroka.com/

Javë të mbarë!

© AlbStroka.com

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top