You Are Here: Home » Mjekësi » Bukuri » MASKA QË DUHET TË PËRGATISNI NËSE KENI FLOKË TË HOLLË

MASKA QË DUHET TË PËRGATISNI NËSE KENI FLOKË TË HOLLË

albstroka_blog_lorena_stroka_letra_personale© Lorena Stroka

Përshëndetje të gjithëve!

Ju ka qëlluar ndonjëherë të ndjeni mall për dikë, të pyesni për të, por, të mos keni asnjë kontakt të drejtpërdrejtë me vetë personin për më shumë se një dekadë? Mua PO! Gjatë viteve të fëmijërisë kisha një shoqe-motër të vërtetë, një vajzë simpatike, nxënëse shembullore dhe tepër inteligjente, e veçantë në çdo drejtim, me të cilën humbëm disi papritur për çështje studimesh. Megjithëse unë isha pak më e rritur se ajo në moshë, kimia mes nesh ishte jashtëzakonisht e fortë! Nuk na lidhte interesi apo diçka tjetër, por, veç sinqeriteti i kulluar dhe dashuria për dijen!

Të rejat tona i komunikonim kryesisht përmes letërkëmbimit, rolin e postierit e kishin marrë përsipër nëna ime dhe motra e Erjolës! Por, që t’i bie shkurt, sot, pas një periudhe kaq të gjatë heshtjeje mes nesh, arritëm të urëzojmë hendekun që na ndante dhe të kujtojmë kohët e vjetra. U gëzova jashtë mase kur më shkroi se ende ruan një pjesë të letërkëmbimit tonë të dikurshëm!

Erjola, sikurse ti, edhe unë vazhdoj të ruaj në sirtarin e tavolinës së punës, jo një pjesë, por, gjithçka kemi shkruar me njëra-tjetrën! Je një mike e papërsëritshme!

Tani, sa për ju që nuk ju intereson hyrja e mësipërme, kapërcejeni, bëni sikur nuk e lexuat!

Tema e ditës ka të bëjë me shëndetin e flokëve, në mënyrë të veçantë, me përgatitjen e një maske që shkon përtej premtimeve kumbuese! Ripërtërin dhe ushqen në thellësi çdo fije të flokëve tuaj, duke i bërë ato më të plota e të buta, mëse ideale për flokët e hollë!

Përbërësit

1 lugë gjelle vaj kokosi

2 lugë gjelle gjethe çaji jeshil të grimcuara

lëngun e 1 limoni

lëngun e 1/2 portokalli

1/2 luge vaj ulliri ose bajame (në qoftë se flokët tuaj janë të thatë)

Përgatitja

Në një tas prej qelqi përzieni mirë së bashku të gjithë përbërësit e mësipërm derisa të krijohet një masë homogjene. Në vijim, lëreni rreth 30 minuta pa e prekur!

Pastaj, aplikojeni në flokët tuaj duke e mbështjellë kokën me një peshqir të ngrohtë për rreth 20 minuta. Në fund, lahuni si zakonisht!/albstroka.com/Për efekte sa më të mira, përsëriteni 1 herë në javë!

© AlbStroka.com

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top