BËRXOLLA NË SKARË ME SALCË MUSTARDE
© Lorena Stroka
Përshëndetje të gjithëve!
Fakti që pjesën më të madhe të kohës unë e kaloj në punë, nuk më lejon të gatuaj gjellëra të vështira, të cilat kërkojnë shumë përkushtim. Për fat të mirë, partneri im nuk ka fare problem me këtë. Kemi të njëjtat shije në ushqim, hamë nga pak dhe gjëra të zgjedhura, kryesisht sallatra, perime dhe shumë fruta. Shijet tona janë kaq të ngjashme, sa shpesh na thonë: s’ka mundësi të jetë e vërtetë?! Mirëpo ngaqë thellë në vetvete akoma dhe unë dyshoja nëse i pëlqenin vërtet ato që përgatisja, një ditë e pyeta: si të duket që unë jam disi larg modelit të femrës tradicionale, asaj që ngrihet që herët në mëngjes për të përgatitur mëngjesin e partnerit dhe rri gjithë ditën me përparëse në kuzhinë? Qeshi, më përqafoi dhe më tha: “unë nuk kërkoja kuzhiniere, as shërbëtore, por, një femër që të ishte e ndryshme nga të tjerat, pastaj kush të tha ty që nuk je një amvise e mirë?!”
Pas përgjigjes së marrë, nuk ju fsheh që ndjeva një lloj qetësie të brendshme. Në qoftë se ndonjëra prej jush, për mungesë kohe apo dëshire, nuk është “tifoze” e gatimeve të ndërlikuara, le t’i hedhë një sy recetës së mëposhtme, e cila është shumë e thjeshtë, përgatitet brenda 40-45 minutave (varet nga lloji i furrës që keni) dhe super e shijshme, sidomos e shoqëruar me pakëz sallatë, personalisht e përgatis një herë në javë, kryesisht të dielave.
Çfarë do të nevojiteni
4 bërxolla mish derri (pa dhjamë)
2 lugë gjelle miell
1 lugë gjelle paprika (piper i kuq, jo djegës)
2 lugë gjelle vaj ulliri
kripë – piper
Për salcën do të nevojiteni
1 filxhan kafe verë të bardhë
1 filxhan kafe lëng mishi (e gjeni të gatshëm në supermarket)
2 lugë gjelle qepër të grira imët
2 lugë gjelle krem qumështi
2 lugë gjelle mustardë
4 gjethe qepësh të njoma
kripë-piper
Përgatitja
Si fillim para-ngrohni furrën në 200 gradë celsius
Lani bërxollat, fshijini mirë, hidhuni kripë, piper, paprika dhe lyejini nga të dyja anët me miell. Vendosini mbi skarën e furrës për rreth 40 minuta, duke i lyer vazhdimisht me pakëz vaj (nga të dyja anët, që të mos ngjiten).
Për sa i përket salcës së mustardës, merrni një tigan të thellë, skuqni qepët e grira derisa të marrin ngjyrë të kuqrremtë, pastaj shtoni verën, lëngun e mishit, mandej mbulojeni me kapak dhe lereni të ziejë derisa të pijë gjysmën e lëngjeve.
Në vazhdim, hiqeni nga zjarri, shtoni mustardën, kremin e qumështit, gjethet e qepëve të prera hollë, kripën, piperin, bërxollat dhe përziejini mirë së bashku. Shërbehet në pjata të sheshta dhe shoqërohet me sallatë dhe verë./albstroka.com/
Ju bëftë mirë!
© AlbStroka.com