Analfabetizmi (II), rreth 800 milionë njerëz në mbarë botën nuk janë të aftë të shkruajnë as një tekst te thjeshtë
Nga Lorena Stroka
E di që duket e pabesueshme, por statistikat më të fundit fatkeqesisht vërtetojnë atë ç’ka askush prej nesh nuk do të dëshironte të dëgjonte kurrë. Është një e vërtetë e cila jeton midis nesh, dhe nëse nuk reagojmë përballë këtij problemi kaq serioz, rrezikojmë ta shndërrojmë në trashëgimtarin tonë nr 1. Për të mos lënë në harresë këtë temë kaq delikate, UNESCO, me nismë vetjake në 8 Prll 1965 vendosi që kjo ditë e shënuar të njihet ndërkombëtarisht si Dita e Eliminimit të Analfabetizmit. Para shekullit të XV analfabetizmi jo vetëm ishte i pranishëm por mbretëronte pothuajse kudo. Përkthimi i Biblës në shumë gjuhë të huaja kontribuoi në reduktimn e penguesit të botës së dijeve. Në vazhdim, Lëvizjet e ndryshme politike si Revolucioni i Francës etj., kontribuan në reduktimin e mëtejshëm të analfabetizmit. Gjithsesi, zhdukja e plotë e analfabetizmit nuk është arritur ende, përkundrazi dy luftërat botërore gjatë shekullit të XX e përforcuan më shumë ngritjen graduale të shifrave alarmate të personave analfabetë. Ishte pikërisht periudha kur njerëzit nuk ishin të sigurtë nëse do të jetonin të nesërmen, dhe jo më t’i kushtonin rëndësi të lexuarit. Në vitin 1957 OHE botoi të dhënat e para zyrtare në lidhje me situatën e atëhershme të arsimit, në bazë të të cilave rezultoi se 44% e popullsisë ishte analfabete. Shifër goxha e lartë por që me kalimin e viteve jo vetëm ulej por deri diku fillonte dhe te normalizohej. Krahas analfabetizmit në kuptimin klasik të fjalës, ekziston dhe ai dixhital, që do të thotë se sot një pjesë e madhe e popullsisë, nuk njeh përdorimin e mjeteve dixhitale. Sigurisht, që në këtë pikë nuk flasim për njohje profesionale, por për ato bazë. Prania e kompjuterave në jetën tonë, ka filluar të ketë rol parësor, pasi nëpërmjet të cilit arrijmë të seleksionojmë një serë informacionesh të ndryshme, pra përveç kënaqësisë shoqërore, kompjuteri është shndërruar në një mjet të vlefshëm profesional. Imagjinoni që miliona njerëz në mbarë botën punojnë vetëm nëpërmjet kompjuterit, për të mos përmendur bizneset e ndryshme dhe reklamimin total që realizohet online. Sikur të gjithë t’i kushtonim pak më shumë rëndësi problemit të analfabetizmit, është e sigurtë që do të shikonim më pak njerëz të varfër të “zhytur në detin e paditurisë”. Fatkeqesisht, në Shqipëri kemi më shumë analfabetë nga ç’mendojmë, pasi dhe ata që gjasme shkuan në shkollë, me vështirësi të madhe shkruajnë dhe emrat e tyre. Pavarësisht se në vetvete mendojnë se janë “docentë”. Niveli i ulët i mësimdhënies në Shqipëri është vërtetuar më së miri me nxënësit shqiptarë që vendosën të studiojnë jashtë shtetit. Atje ku kanë shkuar, kanë bërë përpjekje kolosale për të arritur në nivelin e duhur. Të mos harrojmë faktin e hidhur që në Universitetet shqiptare vetëm 10% e pedagogëve kanë mbrojtur doktoraturën, ndërsa të gjithë të tjerët janë thjesht me të lartën./AlbStroka.com/