You Are Here: Home » Mjekësi » Bukuri » SI TË BËSH VETË SAPUN TË LËNGSHËM PËR FYTYRË DHE DUAR

SI TË BËSH VETË SAPUN TË LËNGSHËM PËR FYTYRË DHE DUAR

© Lorena Stroka

Përshëndetje të gjithëve!

Epo ç’është kjo punë, tani që unë kisha mbyllur valixhet për pushime, filluan të më “bombardojnë” punët njëra pas tjetrës?! Kësaj i thonë të jesh në mëdyshje: të rrish për qejf pranë detit me shoqëri të mirë, apo të mbyllesh brenda katër mureve, duke qorruar sytë, për të dy-trefishuar të ardhurat e tua?! Duke ditur që deti atje është dhe nesër (nuk ikë), ndërsa punë të tilla, nuk i ndesh çdo ditë, natyrisht që zgjedh të dytën, dhe pushimet i shtyn për një kohë të mëvonshme, (këtë e thotë logjika, jo zemra).

Tema që kam zgjedhur për sot është ndër më të dashurat për mua. Në qoftë se nuk do të isha bërë përkthyese, do kisha hapur një punishten time, dhe do të merresha vetëm me përgatitjen e produkteve kozmetike. Kjo s’do të thotë se jam penduar për profesionin tim, përkundrazi, dhe njëqind herë të rilindja, po të njëjtin do të zgjidhja. Madje, fakti që kam arritur t’i përputh harmonikisht me njëra-tjetrën (dy dashuritë), më bën dyfish të lumtur dhe të përmbushur si njeri.

Recetën e mëposhtme do doja ta lexonit me kujdes, pasi mendoj se pak a shumë të gjithave do t’ju nevojitet një ditë. Bëhet fjalë  për përgatitjen e një sapuni të lëngshëm me veti antiseptike dhe antikakteriale. Është i përshtatshëm për të gjitha llojet e lëkurës (të ndjeshme, të thata, të yndyrshme) dhe me çmim fare të ulët.

Përbërësit

120 gr sapun me vaj ulliri

500 ml ujë të deionizuar (pa kripëra)

1 lugë gjelle mjaltë organik

10 pika vaj esencial limoni ose livandoje

Përgatitja

Si fillim, grini hollë sapunin. Pastaj në një tenxhere shtoni ujin, sapunin dhe mjaltin. Lereni të ziejë rreth 10 minuta, duke e përzierë vazhdimisht, derisa sapuni të shkrijë plotësisht. Në vazhdim, hiqeni nga zjarri dhe lereni të maturohet për 8 orë. Të nesërmen, përbërja do të ketë marrë formë kremoze… shtoni në të vajin esencial dhe vazhdoni përzierjen e mirë. Kjo ishte e gjitha, sapuni është gati për përdorim.

*Dendësia e sapunit të lëngshëm formohet në varësi të temperaturës. Në mjedise me temperatura të ulta, zakonisht ngurtësohet. Ndaj për ta rikthyer në gjendjen e mëparshme, thjesht, vendoseni në një tenxhere me ujë të nxehtë./AlbStroka.com/

© AlbStroka.com

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top