You Are Here: Home » ENCIKLOPEDI + » ANTOLOGJI » TRE PLEQTË

TRE PLEQTË

Përktheu: Lorena Stroka, Roehampton University, UK

Njëherë e një kohë ish një grua e cila ndërsa merrej me punë në kopshtin e saj, papritmas, pa tre pleq të ngarkuar me përvoja jete që po i afroheshin derës së shtëpisë së saj. Edhe pse nuk i njihte, u tha:

– “Nuk ju njoh, por do jeni të uritur. Ejani brenda të hani diçka”.

Ata e pyetën:

– “Burri juaj është në shtëpi?”.

– “Jo, nuk është këtu”, u përgjigj ajo.

– “Atëherë nuk vijmë dot”, i thanë pleqtë.

Kur u kthye burri në shtëpi, gruaja i shpjegoi se çfarë kishte ndodhur.

– “Le të vijnë tani që erdha unë”.

Gruaja doli jashtë për t’i ftuar pleqtë brenda meqenëse ishin ende atje.

– “Nuk vijmë dot të gjithë bashkë”, i thanë ata.

Gruaja e habitur i pyeti se për ç’arsye?

I pari, filloi t’i prezantohej:

– “Unë jam Pasuria”, i tha.

Pastaj i prezantoi të dytin, Lumturinë.

Dhe në fund të tretin, që ishte Dashuria.

– “Tani”, i tha. “Ec tek yt shoq dhe vendosni të dy bashkë se cilin prej nesh do të zgjidhni që të hajë me ju”.

Burri tha gjithë gëzim:

– “Sa me fat që jemi, le të vijë Pasuria, kështu do të kemi gjithçka duam”.

Por bashkëshortja e tij nuk ra dakord me të:

– “Dhe pse të mos zgjedhim Lumturinë?”.

Vajza që po i dëgjonte nga një qoshe u tha:

– “Po sikur të ftonim Dashurinë. Shtëpia jonë do të jetë gjithmonë e mbushur me dashuri”.

– “Le të dëgjojmë vajzën”, i tha burri gruas.

– “Dil jashtë dhe sill Dashurinë”.

Gruaja doli dhe pyeti:

– “Cili prej jush është Dashuria. Le të vijë të darkojë me ne…”.

Ndërsa Dashuria po ecte drejt shtëpisë, e ndiqnin nga pas Pasuria dhe Lumturia.

Me habi gruaja pyeti Pasurinë dhe Lumturinë?

– “Unë ftova vetëm Dashurinë. Ju pse vini?”

Dhe pleqtë iu përgjigjen me një zë:

– “Po të kishe ftuar vetëm Pasurinë apo Lumturinë, dy të tjerët nuk do të vinin. Por tani që ftove Dashurinë, ku vete ajo, shkojmë dhe ne me atë”./AlbStroka.com/

 © AlbStroka.com

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top