You Are Here: Home » ENCIKLOPEDI + » GJUHËSI » A IA VLEN TË MËSOSH GJUHË TË HUAJA?

A IA VLEN TË MËSOSH GJUHË TË HUAJA?

Nga Lorena Stroka

Shpesh herë më bën përshtypje shpërfillja që ne shqiptarët (në këtë rast lexuesit) tregojmë ndaj temave të rëndësishme. Kur shkruaj diçka mbi tema argëtuese (humoristike ose paksa pickuese), vizitorët i lexojnë me kënaqësi të madhe, dhe sa herë zgjedh të prek tema më “serioze”, ata tregohen më të ndrydhur. Pse vallë ndodhë kjo? Nga se rrjedhon kjo mungesë vëmendjeje? Si është e mundur që në vitin 2013, rininë shqiptare vijon ta shqetësojë vetëm çështja e fitimit të shpejtë dhe ajo e thashethemeve? Çuditërisht, shqiptari e ka më të lehtë të rri këmbëkryq e të luajë letra se sa të investojë për të ardhmen e vet.

Për shumë njerëz, arritje është të kesh një makinë të shpejtë, një vilë tri katëshe dhe disa miliona në bankë. Po pse ku është e keqja, këto nuk duam të gjithë? – do më thoni! E vërteta është se nga kamja s’ka vdekur njeri, por që t’i zotërosh dhe gëzosh këto, më parë duhet të kesh derdhur djersë. Leku i pistë siç vjen, ashtu dhe shkon. E rëndësishmja nuk është vetëm të kesh, por dhe të jesh. Ajo që të jep vlerë, është brendësia, mënyra se si mendon.

lorena-stroka-bachelor-of-arts-in-bilingual-translation-roehampton-university-london-uk1Nga dijet nuk humbi kurrë, askush. Uroj me gjithë shpirt që midis lexuesve të kësaj “thirrjeje” të ketë edhe prindër. Jam e sigurtë që shumë prej jush aty jashtë, doni t’i ndihmoni fëmijët tuaj, pse jo t’i shihni më lart se veten, por vështirësitë ekonomike shpesh ju shkurajojnë. Mos u dorëzoni, përpiquni me aq sa keni në dorë, qëndrojuni pranë, falë internetit, sot, mund të mësojnë shumë gjëra që në rrethana të tjera do të ishte krejt e pamundur. Jepuni përparësi gjuhëve të huaja, aty është e ardhmja.

Për fat të mirë apo të keq, në mbarë botën përdoren mijëra gjuhë të huaja. Disa prej tyre janë mjaft të ngjashme, aq sa pavarësisht disa ndryshimeve që mund të kenë, dy njerëz fare lehtë mund të komunikojnë me njëri-tjetrin. Ndërsa ca të tjera janë aq të ndryshme, sa skenari i mësipërm duket thuajse i pamundur.

Në përgjithësi, në qoftë se duam të komunikojmë me dikë që nuk flet gjuhën tonë, atëherë duhet të mësojmë ne të tijën, ose të dy palët të flasim një gjuhë të tretë.

Zotërimi i gjuhëve të huaja është një aftësi që vlerësohet dhe shpërblehet globalisht. Qysh në kohët e lashta, aftësia e komunikimit midis popujve dhe kombeve të ndryshme luajti rol kryesor në marrëdhëniet e tyre.

Asokohë, përkthyesi ishte ndihmësi më i vlefshëm për çdo udhëheqës grupi, pasi përmes tij mirëkuptoheshin me kryesuesit e grupeve ose organizatave të tjera. Fusha të tilla si tregtia, vareshin plotësisht nga mundësia e komunikimit.

Në epokën tonë, gjërat nuk kanë ndryshuar shumë.

Akoma dhe sot, kompanitë multinacionale që veprojnë në të gjithë botën paguajnë “qimet e kokës”, për të gjetur dikë që plotëson kriteret e kërkuara, gjuhë të huaja, grada shkencore etj.

Madje shumë kompani s’do nguronin të paguanin “majmë” dikë që flet qartë dhe rrjedhshëm gjuhët e vendeve në të të cilat kompania vepron. Pra, siç e kuptoni, njohja e një ose disa gjuhëve të huaja automatikisht rrit perspektivat për punësim, pasi në këtë rast individi mund të zgjedhë të shkojë akoma dhe në një vend tjetër, ku kushtet e jetës dhe niveli i të jetuarit janë më të zhvilluara.

Njohësi i disa gjuhëve të huaja është i gatshëm të “arratiset” nga pengesat ekonomike të vendit të tij. Duhet të dini se çdo gjuhë e huaj që mësojmë zgjeron horizontet tona dhe hapë dyer të reja.

Dhe sigurisht njohja e gjuhëve të huaja nuk kufizohet thjesht në gjetjen e një pune me të ardhura të mira. Njohja e një gjuhe të re, të rrit aftësitë dialektore dhe të ndihmon të praktikosh më sukseshëm aftësitë e komunikimit, në këtë mënyrë cilësia e jetës përmirësohet në çdo nivel.

Gjatë përvetësimit të një gjuhe të re, studenti nuk mëson thjesht një gjuhë të re. Por mëson historinë, zakonet dhe doket e popullit që gjendet pas gjuhës së huaj. Për shembull, kur një i huaj fillon të mësojë shqip, dashur pa dashur do të thellohet në qytetërimin, zakonet dhe doket tona.

Si përfundim, dua të nënvizoj se njohja e një ose disa gjuhëve të huaja veç të mira mund të sjellë. Përmes çdo gjuhe të re pasurojmë jetën dhe botën tonë të brendshme. Kush e di mbase kështu fillojmë të kuptojmë disi ndryshe nocionin e kullës së Babelit./AlbStroka.com/

© www.AlbStroka.com

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top