You Are Here: Home » Të ndryshme » Më të qëndrueshme martesat nga njohjet në Internet!

Më të qëndrueshme martesat nga njohjet në Internet!

Nga Lorena Stroka

Çiftet që janë njohur në rrjet (internet), për shembull, përmes rrjeteve sociale kanë martesa më të qëndrueshme se pjesa tjetër, të paktën këtë tregon një studim i realizuar në 15.000 amerikanë që u martuan nga viti 2005-2012.

Studimi tregon se njerëzit që zgjedhin internetin për lidhje dashurie zakonisht janë më të vjetër në moshë, më të pasur si dhe më të shkolluar nga pjesa tjetër (këtë po të duam e besojmë).

94% e martesave (online) kundrejt 92% e atyre (offline) vazhduan të ishin të lumtura deri në përfundimin e studimit (2012). Ndryshimi është i vogël, por mjaft i rëndësishëm kur merren parasysh faktorë të tillë si mosha, të ardhurat dhe feja.

Kërkimi në fjalë u financua nga kompania e njohjeve në linjë eHarmony, pastaj të dhënat u analizuan nga biostatistikantë të pavarur të Harvard-it, të cilët vendosën si parakusht publikimin e të gjitha detajeve të studimit, akoma dhe nëse ato do të ndikonin negativisht në kompani.

“U habitëm kur konstatuam se takimet në linjë (online) shoqërohen me përfundime të mira në martesë”, tha në Nature Xhon Kaciopo, këshilltar shkencor i eHarmony dhe autor i parë i botimit.

“Efektet që gjetëm ishin të vogla, por e mahnitshmja është që gjetëm efekte të tilla”.

“Fakti që anketa u bazua vetëm në pjesëmarrjen e disa vullnetarëve që pranuan të plotësonin një pyetësor online dhe që mund të mos përbëjë mostër përfaqësuese e popullsisë së përgjithshme, përfundimet e studimit nuk mund të konsiderohen definitive”.

Sigurisht vazhdon të jetë tejet interesant fakti që nga 19.000 vullnetarë, 35% e tyre thanë se me bashkëshortët/et e tyre janë njohur përmes internetit. Përqindja e cila në dëgjim të parë mund të konsiderohet relativisht e vogël, në të vërtetë është më e madhe se sa njohjet e bëra në shkolla ose mjedise pune.

Vetëm 45% e vullnetarëve (në grupin online) i njohën bashkëshortët/et e tyre përmes shërbimeve për njohje online (eHarmony, Match, Plenty of Fish, Yahoo Personal etj), ndërsa të tjerët qenë njohur në Facebook. Studimi tregon se njohjet online janë po aq të sukseshme sa dhe takimet nëpërmjet rrugëve tradicionale.

Njerëzit që preferojnë internetin për njohje, çuditërisht janë më besnikë (në martesa) krahasuar me  të tjerët që njihen në jetën reale (!!!).

Megjithatë, mangësia ose kufizimi më i madh i studimit qëndron në faktin që u bazua në pyetsorë online, pasi vetëm disa përdoruesë pranuan të përgjigjeshin. Pavarësisht “lajmeve të mira” që lexojmë në sondazhet e tejdukshme (shpresojmë) unë vazhdoj të jem shumë e rezervuar me lidhjet online. Por ky është veç mendimi im, s’do të thotë se të gjithë duhet të mendojnë si unë. Në fund të fundit çdo njeri vendos vetë për jetën e vet./AlbStroka.com/

© www.AlbStroka.com

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top