You Are Here: Home » ENCIKLOPEDI + » ANTOLOGJI » RRUFEJA DHE VETËTIMA

RRUFEJA DHE VETËTIMA

Përktheu: Lorena Stroka, MA in Specialised Translation

Një herë e një kohë,  mijëra vjet më parë, njerëzit kishin aftësi të shkëlqyera, që tanimë i kanë humbur. Fluturonin, shndërroheshin në kafshë, bimë etj… Ishin gjithashtu më të mirë e të ndershëm se njerëzit e sotëm. Vjedhja, ishte krejt e panjohur për ta. Nuk u shkonte kurrë ndërmend të vidhnin as gjënë më të vogël e të lirë në lagje.

Prandaj, i linin shtëpitë hapur, të sigurtë se askush nuk do t’i vidhte. Gjërat rridhnin kështu, deri ditën kur një djalë i vogël bashkë me motrën e tij hynë në një shtëpi. Brenda shtëpisë së shkretë, gjetën një lëkurë të tharë dreri dhe një çakmak të ri e të bukur. U pëlqyen aq shumë, sa bënë atë që askush deri atëherë nuk kishte guxuar të bënte: i vodhën dhe ia mbathën!

Kur mbërritën në një vend të mënjanuar, larg syve të njerëzve, nisën të luanin me sendet e vjedhura, shkrepnin  çakmakun dhe mrekulloheshin nga shkëndijëzat e ngjashme me vetëtimën. Por, për një çast, menduan të keqen që kishin bërë dhe i zuri frika… Duhej të iknin, të fshiheshin, t’i shpëtonin ndëshkimit të pashmangur, që do ish’ patjetër i ashpër. Po ku të shkonin, ku të fshiheshin? Njerëzit e fisit do i gjenin padyshim.

“Të shndërrohemi në drerë”, propozoi djali.

“Jo, se do na ndjekin dhe do na zënë”, tha vajza.

“Ke të drejtë. Atëherë do bëhemi ujq”.

“E njëjta gjë është, do na vrasin”.

“Atëherë, le të bëhemi dhelpra… ose foka…”

Edhe pse u ziente koka nga mendimet e turbullta, prapësëprapë nuk gjenin ndonjë kafshë ose gjë që t’i shpëtonte nga ndëshkimi që i priste…

Pasi u menduan gjatë, dy fajtorëve të vegjël u shkrepi një ide…

“Do shkojmë të jetojmë lart në qiell. Kështu nuk do të na arrijnë kurrë!”

Vërtet, ideja ishte e mirë, të shtyrë nga frika, të dy fëmijët e realizuan menjëherë. E thanë dhe e bënë: U ngjitën në qiell të maskuar në Rrufe e Vetëtime. Qysh nga ajo ditë, Rrufeja dhe Vetëtima, gjithmonë bashkë,  enden mes reve. Dhe ngaqë në të vërtetë janë veç dy fëmijë të vegjël, u pëlqen të luajnë, ashtu siç bënin dikur në tokë. Rrufeja qëllon lëkurën e tharë të drerit dhe gjëmon fort, ndërsa Vetëtima luan me çakmakun duke nxjerrë shkëndija e flakë./AlbStroka.com/

© www.AlbStroka.com

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top