You Are Here: Home » Mjekësi » Psikologji » DASHURIA ËSHTË…

DASHURIA ËSHTË…

Nga Lorena Stroka

Gjithçka për dashurinë! Për atë a nuk bëhen të gjitha? A nuk është e vetmja gjë për të cilën kemi nevojë? Pa atë ndihemi të zbrazët, diçka na mundon, diçka na mungon, diçka na shqetëson, a nuk është kështu?!

Dashuria është nevoja më e madhe emocionale. Për burrin është e rëndësishme ta duan, ta vlerësojnë, ta pranojnë dhe mbi të gjitha ta besojnë. Ndërsa gruaja ka nevojë ta dashurojnë, të kujdesen për atë, ta respektojnë dhe ta kuptojnë.

Kur nuk plotësohen nevojat e tua çfarë ndodh? Përplasesh, zihesh. Ndihesh e lënduar dhe ngarkon parterin tënd për gjendjen e rënduar shpirtërore.

Dashuria është…

Dashuria është koncept por edhe ndjenjë. Mënyra se si e përcaktojmë por dhe se çfarë presim nga ajo luan rol të rëndësishëm në zgjedhjen e partnerit por dhe në nivelin e kënaqësisë që marrim nga ai.

Çdo njeri e kupton dashurinë sipas mënyrës së vet. Shpesh, modeli ynë për dashurinë tregon mënyrën e sjelljes së prindërve ndaj nesh. Dashuria është ndjenjë dhe sjellje në të njëjtën kohë. Kur gjykojmë dashurinë tonë ndaj të tjerëve, kemi si kriter ndjenjat tona. Por kur gjykojmë dashurinë e tjetrit ndaj nesh, bazohemi në mënyrën se si na sillet. Pikërisht aty fillojnë problemet… Ai mund të të dojë e të “vdesë” për ty… dhe ti të kesh ankesa e të ndihesh e pakënaqur. Pse? Sepse nuk ta tregon në mënyrën që do ti. Aty, rrënjëzohen pakënaqësia, grindjet, keqkuptimet… Edhe pse e doni njëri tjetrin mendoni se ai nuk ju do.

Nuk mjafton që vetëm të duash, por të gjesh dhe rrugën e duhur për ta shfaqur atë. Me pak fjalë, duhet të keni kode dhe përvoja të përbashkëta – përndryshe është e kotë.

Sa e rëndësishme është dashuria dhe pse?

Përmes dashurisë, burrat dhe gratë duan më shumë veten, ndihen të kompletuar, të plotë. Dashuria ofron mbështetje, përkujdesje, konfirmim, çlirim, shfaq një dëshirë vetëmohimi për njeriun që duam. Kur na duan përjetojmë realitetin e ekzistencës sonë dhe ndiejmë se e meritojmë. Dashuria e tjetrit mund të bëjë mrekullira, por kjo nuk do të zgjasë shumë në qoftë se ne nuk duam veten tonë. Se po nuk deshe ti veten tënde, si pret të të duan të tjerët? Mos harroni, dashuria shkon te ata që e kanë pushtuar brenda tyre. Të tjerëve u shmanget.

Vetëm po deshe veten tënde do arrish të njohësh e ndjesh dashurinë e vërtetë.

Dashuria nuk imponohet, FITOHET!

© AlbStroka.com

 

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top