You Are Here: Home » Mjekësi » Psikologji » BASHKËFAJTORË NË DASHURI

BASHKËFAJTORË NË DASHURI

Nga Lorena Stroka

Gruaja dhe dashuria janë dy koncepte pothuajse identike, dhe në fakt raporti midis tyre është fare i thjeshtë. Apo kështu duan të besojnë? Çfarë duan gratë nga një marrëdhënie? Kjo është pyetja që mundon miliona burra në mbarë botën.

Robert de Fleur tha: “Në dashuri mos kërkoni “PO” nga buzët e grave, por nga sytë e tyre. Gratë duan që t’i kuptoni, pa pritur që ta rrëfejnë ato vetë”.

Dashuria i lartëson gratë…

Gratë duan të ndihen mbi të gjitha të dëshirueshme, pavarësisht nga mosha që mund të kenë. Ato e shikojnë dashurinë si një ndjenjë që i lartëson e i bën të ndihen të dëshirueshme/erotike. Në qoftë se burri nuk tregon vlerësimin e duhur ndaj gruas, herët a vonë do ta humbasë. Gjëja më interesante është se grate nuk e shohin dashurinë si mjet konfirmimi, siç ndodh shpesh me meshkujt, por si një mjet për të mbuluar hapësira emocionale. Pra, kërkojnë erosin, dashurinë, përkushtimin, sepse kanë nevojë të ndihen të sigurta e të dashura. Se sa kohë një grua do të qëndrojë pranë një mashkulli varet vetëm nga ai, pra nga shkalla dhe cilësia e dashurisë që do i tregojë asaj.

Gratë në një marrëdhënie duan të ndihen të veçanta për njeriun që kanë pranë tyre. Kjo është një nga elemente kyç në një lidhje. Në qoftë se dikush nuk mund të plotësojë këtë pjesë të gruas, atëherë, ka të ngjarë të përballet me një nga ato sjelljet që kanë çuar në thënien e famshme: “Zemra e gruas është humnerë”. Gruaja ka nevojë për vëmendje dhe interes. Disa surpriza të vogla që tregojnë se partneri i saj e mendon si: dhurata, lule, shënime erotike, gjeste romantike – do të ishin në favor të një lidhjeje të shëndetshme.

Nuk është e rastësishme, që akoma dhe pranimi erotik dhe seksual i një gruaje, rritet në mënyrë dramatike kur krijohen kushtet e përshtatshme: pra kur ka sinqeritet, dashuri, mirëkuptim etj.

Gruaja kërkon bashkëfajtor në dashuri dhe jo kundërshtar. Të ruajë karakteristikat personale  e të veçanta të tij, dhe në të njëjtën kohë, të jetë pranë saj në një marrëdhënie dialektike, duke plotësuar njëri-tjetrin.

Gruaja në dashuri përdor më shumë zemrën se sa logjikën, pikërisht kjo është avantazhi dhe disavantazhi më i madh i saj. Ndihet e pafuqishme para ndjenjës së saj, mbizotërohet tërësisht nga ajo.

Kur Frojdi shtroi pyetjen se çfarë duan grate në një lidhje dhe se cili është raporti i gruas me dashurinë, u përpoq të përgjigjej në bazë të seksualitetit të saj. Realiteti por dhe psikologët e mëvonshëm konstatuan gabimin dhe antifeminizmin e tij.

BASHKËFAJTORË NË DASHURI – këtë kërkojnë gratë!

© AlbStroka.com

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top