You Are Here: Home » Të ndryshme » Personalitete » Një vrasëse e rrezikshme me bukuri hyjnore!

Një vrasëse e rrezikshme me bukuri hyjnore!

Nga Lorena Stroka

Vera mbeti në histori për dy arsye. E para, se kishte bukuri të pashembullt. Dhe e dyta, se në bodrumin e kullës së saj u gjetën 35 arkivole me kufoma burrash. Prej të cilëve, dy ishin bashkëshortët e saj, një djali i saj, dhe tridhjetë e dy të tjerët dashnorë që kishte pasur në faza të ndryshme të jetës së saj. Sot, AlbStroka.com po ju paraqet (për herë të parë në shqip) historinë e një nga grave më të rrezikshme në botë… Vera lindi në vitin 1895 në Bukuresht të Rumanisë nga baba Hungarez dhe nënë Rumune. Familja e saj kishte prejardhje fisnike. Edhe pse gjendja e tyre financiare kishte filluar të binte, vazhdonin të ishin akoma të pasur, aq sa vogëlushes Verë të mos i mungonte asnjë gjë, dhe të studionte pa problem në shkollat më të mira të kohës. Kur ishte rreth trembëdhjetë vjeçe i ati i saj vdiq, atëherë, Vera së bashku me të ëmën u zhvendosën në qytetin Berkerekul të ish-Jugosllavisë, ku familja kishte trashëguar nga një i afërm i pasur një hapësirë të madhe me një kullë të mirëmbajtur. Problemet e para serioze në sjelljen e saj filluan të shfaqeshin dalëngadalë… Një ditë prej ditësh, qenushi që i kishin falur u gjet i vrarë në kopshtin e shtëpisë. Kur e ëma e pyeti lidhur me këtë, Vera iu përgjigj qetësisht: “E helmova me arsenik”. Duke parë tmerrin e vizatuar në fytyrën e nënës së saj, vogëlushja shpjegoi më tej: “të dëgjova tek thoje se do ta jepje gjetkë ngaqë lehte shumë. Qeni im nuk dua t’i përkas askujt tjetër përveç mua. Kur më lë, duhet të lë edhe këtë botë”.

Vera ishte tepër çapkëne për moshën e saj, aq sa e ëma nuk e frenonte dot më. Thuhet, se ikte nga shtëpia për netë me rradhë, edhe pse adoleshente dashnorët e saj ishin të panumërt dhe zakonisht të mëdhenj në moshë. Bashkëkohësit e saj e përshkruanin si një adoleshente me nevoja patologjike për shoqëri të vazhdueshme burrash. Ndërkohë që ishte shumë posesive dhe xheloze. Dyshonte për partnerët e saj se mos e tradhëtonin, pavarësisht se asnjëri prej tyre nuk i kishte dhënë ndonjë shkak të tillë.

Vrasja e parë

Vera u martua shumë herët, ende pa mbushur të njëzetat. Gjatë asaj kohe kishte lidhje me një bankier të suksesshëm nga Bukureshti, Karlin, kur mbeti shtatzënë u martuan menjëherë. Pas disa muajsh lindi Lorenzon. Të qëndronte gjithë ditën në shtëpi duke u kujdesur për fëmijën e shtëpinë, ishte diçka shumë e vështirë për atë. E gjithë kjo rutinë i kishte shkaktuar stres psikologjik. Avash-avash filloi të dyshonte se orët e zgjatura të bashkëshortit në zyrë ndoshta fshihnin ndonjë lidhje të fshehtë. Mendja e saj nuk rreshte së thururi histori mashtrimi, në të cilat protagonistonin bashkëshorti i saj dhe plot gra të tjera. Ishte kaq e sigurtë për fajësinë e tij sa filloi ta akuzonte haptazi, fakt që krijoi kontradikta të mëdha mes çiftit. Një natë, pas një zënke intensive mbi çështjen, Vera e verbuar nga xhelozia hodhi në gotën e verës së burrit të saj një dozë të fortë arseniku, duke e dërguar kështu në botën tjetër. Te të afërmit dhe miqtë e familjes, Vera deklaroi se bashkëshorti i saj e braktisi atë bashkë me të birin për sytë e një gruaje tjetër…

Vrasje të tjera

Pasi kaloi periudhën e zisë (shoqërisht të pranueshme), Vera u rimartua, këtë herë me një burrë afër moshës së saj. Për t’iu lejuar martesa, ndërkohë që ligjërisht figuronte akoma e martuar me Schick, Vera i informoi autoritetet se bashkëshorti i saj kishte vdekur në një aksident autombolistik jashtë shtetit. Kështu, u konsiderua zyrtarisht e  ve dhe mundi të martohej me dashurinë e saj të re, Joseph. Një afarist simpatik, me origjinë serbe.

Për fat të keq, dhe skenari i kësaj martese ishte i njëjtë me të mëparshmin. Vera e bindur, se burri i saj kishte lidhje dhe me gra të tjera e helmoi disa muaj pas martesës së tyre. Edhe këtë herë, ajo lajmëroi të gjithë të afërmit se ishte braktisur nga ai, madje nuk nguroi të shkruante një letër të rremë, brenda së cilës bashkëshorti i saj gjasme i kërkonte të qëndronte larg tij. Kjo ishte martesa e dytë dhe e fundit e Verës, pasi kishte vendosur të mos rimartohej më kurrë. Duke qenë një tip tërësisht i varur nga prania mashkullore, lidhjet nuk i munguan kurrë, kishte shumë dashnorë. Nuk i interesonte shtresa e tyre shoqërore, mosha, profesioni, statusi etj. Mjafton të ishin besnikë…

Disa muaj më vonë, u zhvendosë në kullën e të atit në Berkerekul. Qarkullonte gjithmonë e veshur me të zeza, fakt që krijonte një mister të veçantë përreth saj. Bukuria ishte arma më e fortë e vejushës së rrezikshme, asnjë mashkull nuk i rezistonte dot. Edhe ajo dashurohej marrëzisht me ata, veçse besimi ndaj tyre nuk zgjaste shumë, dhe të gjithë zhdukeshin brenda një kohë relativisht të shkurtër.  Lidhja me dashnorët e saj nuk zgjaste më shumë se disa javë…

Edhe pse qarkullonte lirshëm me ata, me lehtësi të madhe justifikonte zhdukjen e tyre. Shumica e dashnorëve të përkohshëm ishin të huaj, kryesisht nga Vjena. Çuditërisht, askush nuk e dyshonte atë. Imagjinoni, brenda dhjetë vjetësh, tridhjetë burra që kishin lidhje me Verën u zhdukën në mënyrë misterioze. Taktika e saj ishte e njëjtë, pothuajse çdo natë zbriste në qytet duke vizituar shumë klube dëfrimi. Atje, mes frekuentuesve, vinte në sy njeriun që i pëlqente (viktimën e rradhës). Disa shikime premtuese mjaftonin që Vera të kthehej në kullë me një partner të ri (sa herë që dilte).

Viktima e fundit

Për ata që nuk nevojitej të justifikohej ishin të martuarit, pasi lidhja e saj e paligjshme qëndronte gjithmonë e fshehtë në sytë e banorëve të qytetit. Mirëpo lidhja e saj e fundit me një burrë të martuar do të çonte në arrestimin dhe dënimin e saj. Vera u njoh dhe u dashurua me një bankier serb, Miloradin. E keqja ishte se dashnori i saj ishte i martuar për më shumë se njëzetë vjet me një grua që ishte në dijeni për tradhëtitë e bashkëshortit të saj, kështu, një mbremje tek e ndiqte pa se ai hyri në kullën e Verës. Tashmë, nuk kishte më asnjë dyshim për tradhëtinë e bashkëshortit dhe identitetin e dashnores së tij. Pas disa ditësh, Miloradi u zhdukë misteriozisht… Bashkëshortja e tij shkoi në polici dhe dha emrin e dashnores me qëllim që të merrej në pyetje dhe të konstatohej nëse dinte diçka për zhdukjen… (vijon)

© AlbStroka.com

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top