You Are Here: Home » Gnomonologji » Shpirt i burgosur

Shpirt i burgosur

Nga Lorena Stroka

Pas kangjellave të ndryshkura të qelisë së ftohtë fshihesh TI. Një krijesë e mishtë, që ka harruar të jetojë, të pulsojë, të prekë, të ndiejë akoma dhe të mendojë… Pamje tronditëse, rrëqethësE, e pashpresë… për një njeri si ty, dikur gjithë gjallëri. Fytyra e ngrysur, vijëzuar si hartë, ngjeshur thellë hekurave të vetmisë, ku dielli s’e përkëdhel kurrë, tashmë, pikturon mjerimin që e kaplon…

Pamja bëhet më tragjike kur i burgosur nuk është më trupi, por shpirti yt. Brenda prangave të forta, paradoksale e të pazgjidhshme njëqind pse-ra të mundojnë. Për fat të keq, shpirti yt ka mbetur ende atje, pas hekurave të padukshme të së shkuarës. Ndjenjat fisnike të braktisën, ëndrrat u paralizuan, dëshirat po ashtu… Ndërsa gëzimi që prisje të gjeje porsa të përplasje fuqishëm atë portën hermetike, nuk erdhi kurrë… Gjithçka u shua si raketë, pas shkëlqimit fantazmagorik. U mohove, u injorove, u paragjykove, u mënjanove, u damkose, u përbuze. Dënimi që njohe jashtë ish i ashpër, i pameritueshëm për njeri. Fillove të ndryshosh, të shndërrohesh në egërsirë, të urresh çdokënd që të rrethon, më shumë ata që dikur mendoje se i kishe miq. Shqetësimet, tensionet, ankthet, zemërngushtësitë, xhelozitë, dëshpërimet, zhgënjimet përmbytën tëndin shpirt… Ndërgjegja protestuese kërkonte çlirim, ëndrrat e tmerrshme të torturonin përditë, gjysmë i djersitur ngriheshe shtratit bërtitur: “Përse Zot, më lë të vuaj? Përse më braktis Edhe Ti?”. Derisa melankolia të përqafoi një agim, pamëshirësisht, zemrën ta shtrëngoi, ta shtrydhi pikë-pikë. Neveria, urrejtja, mospranimi nga e ashtuquajtura shoqëri, të zalisën, të goditën, të gjakosën shpirtin të dorëzuan në duart e ferrit pa kthim./AlbStroka.com/

© Albstroka.com

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top