You Are Here: Home » Gnomonologji » Ekzistenca » Liri e vërtetë

Liri e vërtetë

Nga Lorena Stroka

Kam përshtypjen se i di mirë ato që shpesh herë i thoni vetes në fshehtësi: “Ndalo, mos ec më tej, mos bëj këtë, mos bëj atë, kujdes nga njëra, kujdes nga tjetra. Por shumë shpejt ndërroni mendje duke thënë “Epo njerëz jemi në fund të fundit, gjak qarkullon në venat tona, pse të mos jetojmë ashtu siç duam?” – Kështu nuk bëni?

A e keni menduar ndonjëherë se cili njeri quhet vërtet i lirë? Domethënë cila është liria reale? Sigurisht, nuk besoj të konsideroni dikë që rend ca andej – këntej, duke shuajtur etjen në çdo çezmë që gjen përpara, pa marrë parasysh nëse uji është i infektuar e i pistë. Kjo nuk quhet liri, më saktë quhet MARRËZI, madje vrastare. Sepse paguhet shtrenjtë, shpesh me tifo, akoma dhe vdekje. “Liri nuk është të bësh atë që do, por të duash atë që bën“. S’kam ndërmend ta lë lirinë të më udhëheq në shtigje të gabuara, as të më bëjë viktimë të dëshirave të mia, jo, do ta gushtoj në zemër, nuk do ta lejojë të më mëposhtë… Do t’i them “JO” të keqes kur vjen të më përqesh, të më mbështjellë, të më bëjë pjesë të saj. E lirë s’mund të quhet kurrsesi lëvorja e arës që rrëshqet rrymave të ujit. I lirë është ai që mund të kalojë mbi përrua. Pikërisht, për këtë arsye, nuk mund të flasë për liri ai që duke mos i rezistuar dot rrymës së të keqes, nga frika se mos e quajnë “të padalë”, “të ndrojtur”, “të paguximshëm” i dorëzohet pasioneve të sëmura. I lirë është ai që shkon në anën e kundërt të përroit dhe si shqiponjë  fluturon mbi këneta e llumra duke arritur në majat më të larta e të pastra të maleve. Po, ai është vërtet i lirë. Ai që mund të vështrojë përreth tij pa u trembur se dikush do i nxjerr të palarat në shesh. Ai që mund ta shikojë tjetrin në sy pa u skuqur. Ai që duke esksploruar vetveten, nuk vëren asnjë zinxhir, asnjë pasion të ulët, asnjë urrejtje, asnjë ndjenjë fajsie që t’i mbërthejë zemrën… JU që më lexoni tani, mos nguroni t’i thoni vetes “JO”, kur e shikoni se rreziku ju ka zënë pritë. Janë JO-të që i thotë dhe zogu i zgjuar stomakut të vet kur nuhat rrezikun e mundshëm. Mësohuni, të frenoni shpërthimet e çastit – prej të cilave rezultojnë gabimet më të mëdha. Në shikim të parë ju duket barrë e madhe, por ja imagjinoni shqiponjën pa krahët e saj të rëndë, a do të mund të fluturonte ajo lartësive qiellore?!

© Albstroka.com

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top