You Are Here: Home » Të ndryshme » Lexoje, se ia vlen!

Lexoje, se ia vlen!

Nga Lorena Stroka

Ëndrrat që shohim çdo natë janë padyshim një nga përvojat më misterioze dhe interesante në jetën tonë. Nuk janë të paktë ata që mendojnë se ëndrrat nuk janë aspak të rastësishme, dhe se pas tyre fshihen mesazhe të dërguara nga zoti. Personalisht, mendoj se disa ëndrra mund të simbolizojnë diçka që do të ndodhë në të ardhmen e afërt… por jo se çdo gjë që ëndërrojmë përmban një vërtetësi ose profetizim… Duke shfletuar artikuj të ndryshëm studimorë mbi ëndrrat veçova disa të dhëna që mendoj se ia vlen t’i lexojmë së bashku:

1. 90% të ëndrrave i harrojmë sapo zgjohemi… Brenda 5 minutave (pas zgjimit) harrojmë 50% të tyre, ndërsa brenda 10 minutave 90% të tyre.

2. Edhe të verbërit ëndërrojnë… Njerëzit që u verbuan pas lindjes së tyre mund të shikojnë imazhe në ëndrrat e tyre. Njerëzit që lindin të verbër nuk shohin imazhe, por ëndrra aq të gjalla/intensive, ku përfshihen shqisa të tjera. Për shembull, dëgjojnë tinguj, ndiejnë aroma, prekin gjëra etj.

3. Ëndrra shohin të gjithë… Çdo njeri ëndërron (përveç rasteve me ç’rregullime ekstreme psikologjike). Në qoftë se mendoni se nuk shihni ëndrra, gaboheni, thjesht nuk i mbani mend…

4. Në ëndrra shohim veç njerëz që njohim… Mendja jonë nuk ka aftësi të shpikë fytyra. Pra, në ëndrrat tona shohim njerëz të vërtetë dhe jo imagjinarë. Dhe në rast se disa nga ata që shihni nuk ju kujtojnë gjë, shpjegimi është tejet i thjeshtë: Të gjithë kemi parë mijëra fytyra në jetën tonë por nuk i mbajmë mend të gjithë. Kështu, kemi një nr të pafund karakteresh/personazhesh në trurin tonë, të cilët (ai) i shfrytëzon gjatë procesit të ëndërrimit.

5. Nuk shikojmë të gjithë ëndrra bardhë e zi… Vetëm 12% e njerëzve shikon ëndrra të tilla, pjesa tjetër, pra, 88% shikon ëndrra shumëngjyrëshe… Studime të kryera gjatë viteve 1915 – 1950 tregojnë se shumica e ëndrrave ishin në sfond bardhë e zi, por ky rezultat filloi të ndryshonte në vitet 1960. Sot, vetëm 4.4% e njerëzve (nën 25 vjeç) shohin ëndrra bardhë e zi

6. Ëndrrat janë simbolike… Në qoftë se ëndërrojmë një temë të caktuar, ëndrra mund të mos ketë të bëjë drejtpërdrejt me atë, por mund të simbolizojë diçka tjetër. Fundja, ëndrrat gjithmonë flasin në një gjuhë të thellë simbolike.

7. Ndjenjat… Emocioni më i zakonshëm që njeriu ndjen gjatë procesit të ëndërrimit është ankthi, ndërkohë që emocionet negative janë më të shpeshta se sa ato pozitive.

8. Edhe kafshët ëndërrojnë… Studimet që janë kryer në kafshë të ndryshme kanë treguar se qelizat e trurit të tyre (gjatë gjumit) funksionojnë njëlloj si ato të njeriut. Për shembull, vëreni një qen kur fle, shpesh herë ai lëviz këmbët sikur ndjek dikë.

9. Mund të shikojmë 4 – 7 ëndrra në natë… Mesatarisht, ëndërrojmë 1 – 2 orë në natë.

10. Burrat ëndërrojnë ndryshe nga gratë… Burrat ëndërrojnë persona të së njëjtës gjini. Nga ana tjetër, ëndrrat e grave përfshijnë numër të barabartë të dy gjinive. Përveç kësaj, burrat kanë ndjenja më agresive se gratë gjatë procesit të ëndërrimit./AlbStroka.com/

© Ndalohet ribotimi i shkrimit pa autorizimin e autores.

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top