You Are Here: Home » Mjekësi » Si të kemi lëkurë të shëndetshme

Si të kemi lëkurë të shëndetshme

Nga Lorena Stroka

Lëkura e pastër është  pasqyrë e organizmit të shëndetshëm. Moskujdesja e saj mund të shkaktojë inflamacione, thatësi, akne, thellim rrudhash, pse jo dhe plakje të parakohshme… E vetmja mënyrë për shmangien e këtyre dëmtimeve është ushqyerja e ekuilibruar, e pasur me vitamina, proteina dhe minerale.

Kequshqyerja mund të dobësojë vetëmbrojtjen e organizmit dhe të shfaq probleme të tjera serioze lidhur me funksionin e organeve jetësore…  Mungesa e vitaminës B shkakton ndjeshmëri, tharje lëkure pse jo dhe përqindje të larta yndyrnash në gjak. Shtimi i vitaminave A, E, C në ushqyerjen tuaj, do t’ju ndihmojë në ngadalësimin e plakjes së lëkurës. Ndërsa konsumi i ushqimeve të pasura me vitamina A dhe C do t’ju mbrojë nga rrezet e rrezikshme diellore. Sipas mjekëve, çdo njeri duhet të konsumojë të paktën 8 gota ujë në ditë, pasi uji transporton përbërësit ushqyes në lëkurë dhe largon substancat e padobishme.

Vitaminat luajnë rol parësor në ruajtjen e shëndetit të lëkurës. Është e nevojshme të dimë se çfarë ofron çdo substancë dhe se tek cilat ushqime mund t’i gjejmë.

Vitamina A

Vitamina A ka veti yndyrnë-tretëse dhe ndihmon në elasticitetin e lëkurës. Në ato raste që diktohet mungesa e saj shenjat dëmtuese janë mëse të dukshme. Mëlçia, margarina dhe e verdha e vezës  janë të pasura me vitaminë A. Vitaminën A e gjejmë te domatet, patatet, karotat, brokoli dhe spinaqi.

Vitamina B

Vitamina B ndihmon në funksionin normal të lëkurës. Peshqit, shpendët, vezët dhe zarzavatet janë disa nga ushqimet që janë të pasura me vitaminë B…

Vitamina C

Vitamina C ndihmon në ruajtjen e kolagjenit dhe mbylljen e shpejtë të plagëve. Vitaminën C e gjejmë te luleshtrydhet, specat, brokoli, domatet dhe spinaqi.

Vitamina E

Vitamina E ndihmon në parandalimin e plakjes së lëkurës dhe përforcon qëndresën e lëkurës ndaj rrezeve diellore. Bizelet, vaji i ullirit, bajamet dhe peshqit janë të pasura me vitaminë A./AlbStroka.com/

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top