You Are Here: Home » Mjekësi » HPV (Human papilloma virus) – virusi më i shpeshtë i sistemit gjenital dhe vaksina kundër kancerit të qafës së mitrës

HPV (Human papilloma virus) – virusi më i shpeshtë i sistemit gjenital dhe vaksina kundër kancerit të qafës së mitrës

Nga Lorena Stroka

HPV (Human papailloma virus – virus njerëzor papiloma) është një virus që bazohet në ADN, infekton lëkurën dhe membranat e mukozës së njerëzve dhe disa kafshëve.

Sa i shpeshtë është infektimi? Prek sa grate po aq dhe burrat?

Infektimi nga viruset HPV është nga më të shpeshtët që transmetohet  seksualisht. Prek 80% të personave që kanë jetë aktive seksuale. Është e rëndësishme të theksojmë se infektimi nga virusi në fjalë nuk do të thotë shfaqje e domosdoshme e sëmundjes. Deri më sot janë identifikuar më shumë se 140 gjenotipe HPV. Tipat 6, 11, 41, 42, 43, 44 shkaktojnë lezione kryesisht në hyrje të vaginës, te buzët e vogla/mëdha të vulvës dhe në anus. Ndërsa tipat 16, 18, 31, 33, 35, 39, 45, 51, 52, 53, 55, 56, 57, 58, 59 dhe 68 janë ata që shkaktojnë kancerin e qafës së mitrës (95%), vaginës, vulvës, dhe perineumit.

Si transmetohet HPV?

HPV hyn në organizëm kryesisht përmes:

– marrëdhënieve seksuale

– seksit oral

– dhe më pak përmes seksit anal.

Si shfaqet HPV?

Përmes lezioneve të lëkurës që shfaqen në pjesën e jashtme të organeve gjenitale, të cilat janë të dukshme me sy të lire dhe me vetëekzaminim. Por kujdes, ka dhe lezione të tjera (HPV) që janë të nivelizuara dhe zbulohen vetëm me ndihmën e PAP testit dhe kolposkopisë/vaginoskopisë.

Cilat janë analizat parandaluese dhe kur bëhen?

Çdo grua është e detyruar t’i nënshtohet PAP testit çdo vit. Në qoftë se testi del mire, gruaja nuk ka arsye të shqetësohet. Por në rast se testi tregon qeliza të dyshimta, atëhere duhet të bëjë analiza gjinekologjike (shtesë). Dhe në rast se mjeku e shikon të nevojshme do t’i nenshtrohet akoma dhe procesit te biopsise dhe testit HPV-DNA.

– PAP testi, është marrja e qelizave nga qafa e mitrës dhe vagines me ndihmën e një spatule speciale.

Vaginoskopi/kolposkopi është kontrolli i qafës së mitrës me kolposkop, (nje mikroskop që përdor zmadhim nga 6-40 herë më të madh se masa e vërtetë, me një saktësi të lartë, gjithashtu shoqërohet nga filtra me ngjyrë që ndihmojnë në identifikimin e çdo  lezioni në miter. Procesi nuk është aspak i dhimbshëm.

– Biopsia është marrja e indeve nga një zone e dyshimtë që është lokalizuar gjate kolposkopisë, të cilat më vonë dërgohen për ekzaminim histologjik.

– HPV-DNA test kontrollon materialin gjenetik (DNA) të (HPV) brenda qelizave dhe shume lehte mund të zbulojë tipat me rrezik të lartë që lidhen me kancerin e qafës së mitrës.

Çfarë mund ta ndihmojë organizmin për t’u çliruar nga lezionet e HPV?

Virusi nuk largohet kurrë nga organizmi jonë. Jemi bartës të tij përgjatë gjithë jetës, por nëse sistemi vetëmbrojtës është në gjendje të mire, atëherë mund ta mbajmë ashtu siç është, domethënë të qendroje i paaktivizuar. Gjithashtu, nuk duhet të harrojmë të bëjmë monitorim të vazhdueshëm të tij.

Kurohet virusi i HPV ose lezionet që ai shkakton?

Kurohen vetem lezionet që shkakton virusi i HPV në qafën e mitrës, por jo vetë virusi-HPV, pasi për viruset nuk ekzistojnë antibiotikë. Lezionet trajtohen përmes ndërhyrjeve kirurgjikale, me heqje të pjesëshme dhe me laser. Në 90% të rasteve pjesa e mitrës e cila nevojitet të hiqet “riparohet” brenda gjashtë muajve, kështu që shumë shpejt mitra ribëhet siç ishte më parë.

Në rast se gruaja është shtatzënë, lindja duhet të bëhet me prerje cezariane?


Jo. Në 99% të rasteve fëmija mund të lind në rrugë normale, vaginalisht, pa patur asnjë problem.

Çfarë është vaksina kunder viruseve HPV?

Aktualisht, qarkullojnë në treg dy lloje vaksinash të cilat premtojnë mbrojtje nga kanceri i qafës së mitrës: a) Gardasil që mbron nga infektimi i viruseve HPV 6, 11, 16 dhe 18, dhe b) Cervarix që mbron nga infektimi i viruseve HPV 16 dhe 18, të cilat janë kanceroze.

Kur vaksinohemi?

Vaksinimi është i rekomandueshëm për vajzat nga 12 – 26 vjeç, me/pa infektimin e HPV. Në shumë vende të botës rekomandohet dhe vaksinimi i djemve.

Sa i efektshëm është vaksinimi?

Ngaqë vaksinat janë për tipat 16 dhe 18, nuk mund t’ju garantojnë 100% mbrojtje nga kanceri i qafës së mitrës, pasi ka dhe lloje të tjera tumoresh (HPV). Tipat 16 dhe 18 janë ndër më të rrezikshmit, madje dhe vdekjeprurës, prandaj vaksinimi është i DOMOSDOSHËM./AlbStroka.com/

© www.AlbStroka.com

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top