You Are Here: Home » Kuriozitete » Një vit pa verë!

Një vit pa verë!

Nga Lorena Stroka

Shkaku i këtij fenomeni paradoksal që goditi Europën në 1816 ishte shpërthimi i një vullkani në malin Tambora të Indonezisë, i cili jo vetëm përshpejtoi ardhjen e dimrit, por kontriboi gjithashtu në shfaqjen e vitit më të ftohtë të shek. XIX, (duke e shndërruar në një nga vitet më të ftohtë të historisë botërore). Shpërthimi ishte katër herë më i fuqishëm se Krakatoa, dhe 52 000 herë më i fuqishëm se bomba atomike që ra në Hiroshimë (1945). Në Lindjen e Largët, 92.000 njerëz humbën jetën e tyre, kryesisht nga uria, për shkak të shkatërrimit të kultivimeve dhe ngordhjes së qindra/mijëra kafshëve. Pluhuri, squfuri dhe rete e hirit që mbështollën atmosferën “ç’organizuan” kohën dhe ndikuan negativisht në kushtet e motit, duke shkaktuar rënie temperature në shkallë globale për tre vjet rresht. Për shembull, në Indi musonet vjetore nuk arritën kurrë, duke e çuar popullin në një epidemi masive të kolerës, pasi njerëzit ishin të detyruar të pinin ujë të ndotur, ndërsa për të ngrënë mjaftoheshin me ç’gjenin. Europa vuajti më shumë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa pamundësia e kultivimit për shkak të të ftohit të vazhueshëm polar çoi në trazira të shumta, kryesisht në Francë dhe Zvicër. Të paktën 200.000 njerëz humbën jetën e tyre nga një epidemi tifoje, ndërsa shkatërrimi pothuajse i plotë i të vjelave në New England shkaktoi valën e parë masive të emigrantëve-fermerë duke ndryshuar në këtë mënyrë modelin e bujqësisë amerikane përgjithmonë. Ia vlen të përmendet se kjo ngjarje e çuditshme klimatike frymëzoi shumë artistë, si shkrimtarë/poetë, akoma dhe shkencëtarë. “Shirat e pandërprerë” gjatë korrikut të 1816 e detyruan shkrimtaren e famshme Mary Shelley të qëndrojë për disa kohë në shtëpi, brenda kësaj periudhe ajo shkroi kryeveprën e saj Frankenstein, ndërsa në të njëjtin kontekst, Lord Bajroni shkroi poemën e tij të mrekullueshme Darkness. Së fundi, Justus von Liebig, një kimist që përjetoi urinë në Darmstadt, studioi më vonë ushqyerjen e bimëve dhe importoi plehrat minerale.

© Ndalohet ribotimi i shkrimit pa autorizimin e autores.

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top