Lindja e një planeti
Dy astronomë arritën të depërtonin brenda diskut të materies dhe gazeve që është krijuar përreth yllit LkCa 15 dhe të gjenin një planet që ndodhet në fazat e para të krijimit të tij. LkCa 15b është planeti më i ri jashtëdiellor që është zbuluar deri më sot, madje thuhet se zbulimi i tij është i një rëndësie të veçantë pasi shkencëtarët mund të studiojnë në kohë reale proceset krijuese të një planeti.
Adam Kraus, astronom në Institutin e Astronomisë, të Universitetit të Havait dhe Majkëll Airland, astronom që punon në Universitetin Macquarie, përdorën teleskopë te fuqishëm të vendosur në vargmalin e ishullit Mauna Kea për të vëzhguar yllin LkCa 15. Ylli ka një madhësi të krahasueshme me Diellin, por ndodhet ende në fillimet e tij, pasi është vetëm 2 milion vjeçar ndërsa Dielli 4.5 miliard vjeçar.
Të dy astronomët zbuluan se përreth LkCa 15 janë krijuar dy diqe të materies dhe gazeve. Njëri është disku konvencional i materies dhe gazeve që krijohet rreth yjeve të porsalindur dhe ofron materialet krijuese të planeteve. Yllin dhe diskun i rrethon një disk i dytë i përbërë nga një pluhur kozmik, që ka shkëlqim tepër të lartë. Planeti i zbuluar nga të dy astronomët lindi dhe po formohet në një zonë midis dy disqeve – fakt jashtëzakonisht interesant.
LkCa 15b është planeti më i ri i zbuluar deri më sot. Bëhet fjalë për një gjigand gazi që formohet larg diskut të materies (lëndës) dhe gazeve. Ky është një fenomen me të vërtertë i veçantë, pasi vëzhgimi apo studimi i tij deri më sot ka qenë krejt i pamundur. “Për herë të parë arritëm të bënim vëzhgime dhe matje të drejtpërdrejta për një planet të tillë por edhe për materien që e rrethon“, raportoi Adam Kraus.
© Ndalohet ribotimi i shkrimit pa autorizimin e autores.