7 tipat e burrit që duhen shmangur!
Nga Lorena Stroka
Që një raport erotik të jetë i suksesshëm, i qetë dhe i qëndrueshëm duhet që më parë të bëhen disa lëvizje reciproke, pse jo dhe kompromise nganjëherë, mirëpo ka disa raste të cilat nuk luftohen me asnjë lloj “arme”. Pra, kur diferencat midis çiftit janë aq të mëdha sa nuk gjendet një rrugë komunikimi, zgjidhja më e mirë do të ishte ndarja. Për fat të keq, numri i divorceve sa në Shqipëri po aq edhe në botë është në rritje e sipër, e gjithë kjo situatë ngjan me pandemi. Vendimi i divorcit nuk është aspak i lehtë, aq më shumë kur në mes ka fëmijë. Ndarja e prindërve (për çfarë do lloj arsyeje qoftë ajo) gjithmonë mbetet një plagë e hapur për fëmijët. Megjithatë, kur divorci gjykohet si rrugëdalje e vetme, duhet të kryhet në klimë sa më miqësore. A e keni pyetur ndonjëhere veten se pse ndodhin gjithë këto ndarje? Përgjigjia është shumë e thjeshtë: NE PËRGJEGJËSOHEMI! Pse? Sepse nuk bëjmë zgjedhjen e duhur të partnerit. Në qoftë se doni të shmangni një divorc të mundshëm, mundohuni të mos lidheni kurrë me 7 tipat e mëposhtëm të burrave:
- Me atë që bën ç’i thotë e ëma: Është një njeri jashtëzakonisht i varur nga nëna e tij. Në asnjë mënyrë raporti juaj nuk do të jetë i lehtë. Gjithmonë, ai do të kërkojë nënën në fytyrën tuaj ose do t’ju krahasojë tërë kohën me atë. Gjithashtu, nuk do të ndërmarrë asnjë vendim vetë pa miratimin e asaj.
- Kopracin: Thonë se kush është dorështrënguar në të holla është edhe në ndjenja, dhe kjo është shumë e vërtetë. Një njeri i tillë do t’ju nxijë jetën, do t’ju kërkojë llogari dhe për qindarkën e fundit.
- Mburravecin: Është një njeri që flet shumë, vend pa vend, rrëfen histori të ndryshme me veten si protagonist të tyre. Këta lloj njerëzish premtojnë shumë dhe bëjnë pak… S’ia vlen t’i marrësh seriozisht.
- Tradhtarin – gruarin: Lidhja me një njeri të tillë është e kotë qysh në fillim. Pasiguria dhe papjekuria që e karakterizon nuk do të stabilizojë kurrë lidhjen tuaj.
- Gënjeshtarin: Njeriu që gënjen sistematikisht tregon se ka probleme psikologjike dhe gënjen për të shfaqur diçka që nuk është në të vërtetë, ndihet i pakënaqur me vetveten. Pra, nuk mund të kesh kurrë në krah një njeri që s’e beson dot për asgjë.
- Të dhunshmin: Ai që e mban veten për burrë të zot shumë. S’nguron të fyejë, të qëllojë, të tregojë mbizotërimin e tij kudo.
- Xhelozin e sëmurë: Xheloz është në fazat e para të lidhjes, më pas bëhet i dhunshëm.
© Albstroka.com