You Are Here: Home » Mjekësi » Bukuri » SEKRETE DHE RECETA BUKURIE, (EKSKLUZIVE)

SEKRETE DHE RECETA BUKURIE, (EKSKLUZIVE)

© Lorena Stroka

Përshëndetje të gjithëve!

Për të rifreskuar dhe ripërtërirë lëkurën e fytyrës, por, dhe flokët tuaja, s’duhet gjë tjetër veçse të shkoni deri në… kuzhinë. Produktet e  thjeshta dhe të dashura hyjnë në shërbim të bukurisë femërore…

Lifting natyral

A e dini se çfarë mund të bëjë një e bardhë veze për fytyrën?! Në kohë shumë të shpejtë, ajo largon shenjat e lodhjes, përmirëson formën e fytyrës dhe e hidraton në thellësi. Merrni dy të bardha veze, rrihini fortë dhe përhapeni (përbërjen) në të gjithë sipërfaqen e fytyrës (përveç syve), dhe lereni të veprojë për rreth 10 minuta. Pastaj lahuni me ujë të ftohtë.

Sy me shkëlqim

Shumica e femrave harron ose ka frikë të bëjnë scrub në pjesën e ndjeshme të syve. Gabim! Është mëse e domosdoshme të largohen qelizat e vdekura, por, dhe papastërtitë e tjera nga ajo pikë, mjafton të përdorni një produkt të butë me kokërriza të vogla. Ja një recetë për këtë: Përzieni së bashku 1 lugë çaj bollgur të grimëcuar me pakëz ujë, derisa të krijohet një pastë e trashë (jo të kullojë në duar, të jetë pakëz e ngurtë). Në vazhdim, bëni me të masazh të lehtë në pjesën e poshtme të syve (pa ushtruar forcë) për rreth 1-2 minuta. Në fund, lahuni me ujë të ftohtë dhe aplikoni kremin e syve si zakonisht.

Fund qeskave poshtë syve

Siç e kam përmendur dhe herë të tjera, kastraveci është mëse i përshtatshëm për luftimin e tyre. Thjesht, për efekte sa më të mira, do t’ju këshilloja të merrnit vetëm lëngun e kastravecit… vëreni në frigorifer të ftohet, në vazhdim lagni dy copëza fashë në të dhe vendosini poshtë syve për disa minuta.

Pastrim i thellë lëkure

Për pastrim sa më të thellë lëkure, pa acarime apo dëmtime të mëvonshme, nevojiten vetëm dy përbërës natyralë. Në një tas përzieni së bashku 3 lugë gjelle qumësht (mundësisht organik) dhe 1 lugë çaj kamomil të ftohtë. Në vazhdim, përhapeni në fytyrë dhe qafë për rreth 10-15 minuta. Në fund, pastrojeni me një peshqir të lagur pambuku.

Sekreti i flokëve të mrekullueshme

Në qoftë se keni flokë të thata dhe të dëmtuara nga ngjyrimet, apo përdorimi i produkteve të ndryshme kozmetike, përmes përdorimit të një maske me proteina, mund t’i risillni në gjendjen e tyre të mëparshme… Në një tas shtoni 1 filxhan qumësht (yndyror) dhe 2 vezë të rrahura. Përziejini mirë së bashku dhe pastaj aplikojeni në flokë të lagura (ndërsa jeni duke bërë dush) duke i krehur lehtë për rreth 5 miuta. Në fund, lahuni me ujë të ftohtë./AlbStroka.com/

*Në qoftë se keni ndonjë paqartësi lidhur me shkrimin, më kontaktoni tek opsioni comment (lart, djathtas)…

Shihemi në shkrimin e radhës…

© AlbStroka.com

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top