You Are Here: Home » ENCIKLOPEDI + » ANTOLOGJI » FLAKA E SHPRESËS…

FLAKA E SHPRESËS…

Shqipëroi: Lorena Stroka – Roehampton University, UK

Katër qirinj shkriheshin pak e pak. Dhoma ishte aq e qetë sa mund të dëgjohej gjithçka thuhej mes tyre.

Qiriri i parë tha:

“Unë jam Paqja.
Njerëzit nuk arrijnë të më mbajnë ndezur.
Besoj se nuk më mbetet gjë tjetër veçse të vazhdoj të digjem…”
 

Dhe disi kështu u tret tërësisht…

Qiriri i dytë tha:

“Unë jam Besimi.
Për fat të keq, askush nuk ma ka nevojën.
Njerëzit nuk duan të dinë për mua, ndaj nuk ka kuptim që të qëndroj i ndezur”.
 

Sapo përfundoi fjalën, një puhizë e lehtë fryu mbi të dhe e shuajti.

Tejet i trishtuar qiriri i tretë tha:

“Unë jam Dashuria.
Nuk kam fuqi të rri i ndezur.
Njerëzit nuk më kushtojnë vëmendje dhe nuk e kuptojnë se sa i rëndësishëm jam.
Madje, urrejnë akoma dhe ata që i duan më shumë”.
 

Dhe pa pritur asnjë çast më shumë u fikë i tëri.

Papritmas, një fëmijë hyri në dhomë dhe pa tre qirinjtë e fikur. I frikësuar nga errësira tha:

– “Çfarë po bëni? Duhet të qëndroni të ndezur, se kam frikë nga errësira”.
 
“Mos ki frikë, i miri im, mos qaj…
Për aq kohë sa të jem ndezur unë, do të ndriçojnë dhe qirinjtë e tjerë.
Sepse unë jam SH-P-R-E-S-A”.
 

Me sy të ndritshëm dhe plot lotë, djali mori qiririn e shpresës dhe me të ndezi tre qirinjtë e tjerë, të Paqes, të Besimit dhe të Dashurisë.

Përfundim:

Le të mos shuhet kurrë shpresa brenda zemrës sonë… dhe secili prej nesh le të ndezë përsëri me SH-P-R-E-S-Ë-N, Besimin, Paqen dhe Dashurinë./AlbStroka.com/

 © AlbStroka.com

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top