You Are Here: Home » ENCIKLOPEDI + » ANTOLOGJI » JA PSE I URREJ SHPËRFILLËSIT – pajtohem plotësisht me mendimin e tij

JA PSE I URREJ SHPËRFILLËSIT – pajtohem plotësisht me mendimin e tij

Shqipëroi: Lorena Stroka, Roehampton University, UK

Antonio Gramsci

I urrej shpërfillësit. Besoj se të jetosh do të thotë të integrohesh diku. Kushdo që jeton vërtet është e pamundur të mos jetë qytetar dhe i integruar. Shpërfillja është pavullnetshmëri, parazitizëm, frikë, nuk është jetë. Kjo është arsyeja që unë i urrej shpërfillësit.

Shpërfillja është pesha e vdekur e historisë. Shpërfillja e ndikon historinë. Në mënyrë pasive, por e ndikon. Është fatalizëm. Është ajo që nuk mund të llogarisësh. Të ndryshon programin, të prish planet e krijuara me aq kujdes. Është lënda egërsore që mbytë zgjuarësinë. Ajo që ndodh, e keqja që bie mbi të gjithë, ndodh sepse masa njerëzore braktisë vullnetin e vet, lejon të hyjnë në fuqi ligje që vetëm kryengritja do të ishte në gjendje të përmbyste, lejon të vijnë në pushtet njerëz që vetëm kryengritësit mund t’i largojnë.

Përmes mungesës dhe shpërfilljes së qëllmishme, vetëm pak duar që nuk mbikëqyren, ndërtojnë jetën kolektive, dhe masa këtë nuk e di,  sepse nuk shqetësohet. Duket sikur fati kaplon gjithkënd dhe gjithçka, duket sikur historia nuk është gjë tjetër veçse një dukuri e madhe natyrore, një shpërthim vullkanik, një tërmet ku të gjithë janë viktima, ata që e donin dhe ata që s’e donin, ata që e dinin dhe ata që s’e dinin, ata që ishin veprimtarë dhe ata që ishin shpërfillës.

Disa qahen, disa të tjerë mallkojnë, por asnjë ose vetëm disa vetëpyeten: “Po të kisha bërë dhe unë detyrën time, në qoftë se do isha përpjekur të imponoja vullnetin tim, do të ndodhte ajo që ndodhi?”.

I urrej shpërfillësit, prandaj, më bezdis qarja e tyre, qarja e të pafajshmëve të përjetshëm. Kërkoj që secili prej tyre të më jap llogari se në ç’mënyrë ia doli dhe ia del me hallet e jetës së përditshme, për ato që bëri dhe veçanërisht për ato që nuk bëri. Ndiej se mund të jem i pamëshirshëm, se nuk mund ta harxhoj mëshirën kot, dhe se nuk mund të ndaj me ta lotët e mi.

Jam i integruar, jetoj, ndiej se në hapësirën e ndërgjegjes sime pulson veprimtaria e qytetit të së ardhmes, që hapësira ime ndërton. Dhe brenda këtij qyteti, zinxhiri shoqëror nuk rëndon pakicën, brenda tij çdo ngjarje nuk ndodh për shkak të fatit, por është punim i zgjuar qytetarësh. Në këtë qytet, të gjithë janë të barabartë, jo ca të flijohen e të presin damarët e tyre, dhe të tjerët të bëjnë sehir nga dritarja. Jetoj, jam i integruar. Për këtë arsye, i urrej ata që nuk marrin pjesë, shpërfillësit./AlbStroka.com/

© AlbStroka.com

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top