You Are Here: Home » ENCIKLOPEDI + » ANTOLOGJI » LUANI DHE PROMETEU

LUANI DHE PROMETEU

Përktheu: Lorena Stroka, Roehampton University, UK

Aesop

Një ditë luani shkoi te Prometeu…

– “Kam shumë ankesa”, i tha.

– “Për kë?”

– “Për ty që më krijove”. Prometeu u çuditë.

– Ke ankesa për mua?”,  pyeti. “Pse nuk të krijova të madh e të bukur?”.

– “Po”, pranoi luani.

– “Pse nuk të dhashë dhëmbë të fortë, që të shqyesh me ta akoma dhe kockat më të trasha?”.

– “Më dhe”.

– “Pse nuk të dhashë këmbë të forta e të shpejta?”.

– “Më dhe”.

– “Pse nuk të dhashë thonj të fortë e të mprehtë?”.

– “Po më dhe”, tha luani.

– “Atëherë pse ankohesh për mua?” pyeti Prometeu.

– “Po ja ankohem se dhe pse jam kafshë e madhe, e bukur dhe e fuqishme, kam shumë frikë nga gjeli”, i shpjegoi luani.

– “Atëherë, vëre me veten tënde, jo me mua. Shpirti jot ka frikë nga gjeli. Dhe atë s’e krijova unë”.

Luani uli kokën e fortë pasi nuk kishte se çfarë t’i thoshte Prometeut, që në fund të fundit s’e kishte krijuar ai shpirtin e tij frikacak. Tejet i mërzitur u kthye në pyllin e egër ku jetonte, dhe ditë-natë vriste mendjen se për ç’arsye i trembej gjelit.

Çfarë të bënte për të mundur atë frikë të çuditshme. Dhe ngaqë nuk gjeti asnjë zgjidhje, vendosi t’i jepte fund jetës së tij.

Në kohën që po përgatitej për të kryer vetëvrasjen, u ndesh në rrugë me një elefant të madh, i cili tundte vazhdimisht veshët e tij të mëdhenj.

– “A s’më thua”, pyeti me kurreshtje luani, “pse i tund veshët kaq shumë?”.

– “Lodhem, por nuk kam si të veproj ndryshe”, tha elefanti. “Kam frikë nga mushkonja. Nga kjo grerëza e vogël që zhurmon vazhdimisht dhe më bën të çmendem nga frika, mjerë unë, nëse futet brenda, thellë në veshin tim”.

Luani në dëgjimin e fjalëve të elefantit, u kthye pas në shpellën e tij.

– “Sa budalla që isha”, tha me vete. “Desh vrava veten për shkak të gjelit. Unë që jam më i fortë se elefanti i frikem gjelit, ndërsa ai mushkonjës!”.

Dhe vendosi të jetojë, pavarësisht frikës. Kur pa se s’ishte i vetmi që kishte frikë, mori kurajo./AlbStroka.com/

© AlbStroka.com

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top