You Are Here: Home » Mjekësi » Në cilin vend të botës jetojnë më gjatë gratë dhe burrat?

Në cilin vend të botës jetojnë më gjatë gratë dhe burrat?

Nga Lorena Stroka

Tema e sotme është vërtet shumë interesante, në mëngjes (ose më saktë mbrëmë – kur rrotullohesha në shtrat se s’më zinte gjumi nga vapa – dhe s’më bënte derman as kondicioneri), vrisja mendjen se ç’të shkruaja për sot, nuk vonoi shumë dhe ideja më shkrepi si rrufe – dhe cila është ajo do më thoni? Po ç’gjë tjetër… ajo e jetëgjatësisë së njerëzve, për kuriozitet më shumë doja të mësoja se në ç’vende të botës jetojnë më shumë gratë dhe burrat. Filloni të përllogarisni… Shqiptarët dhe shqiptaret nuk janë (po jua them që në fillim që të mos bëni ëndrra kot). Mos vallë janë Norvegjezet, atje kanë gjëra me bollëk, s’vuajnë thuajse për asgjë? Jo nuk janë as ato. Ç’thoni, pra, në ç’vende të botës jetojnë më gjatë njerëzit?

Femrat me jetëgjatësinë më të lartë në botë janë japonezet – të paktën këtë njoftoi Ministria e Shëndetësisë së vendit (Japonisë), midis të tjerash theksonte se çdo vajzë që do të lindë sot do të jetojë 86.41 vjet (në qoftë se gjithçka shkon mirë dhe nuk pëson ndonjë aksident etj.)

Japonezët për shkak të mënyrës së jetesës, ushqerjes si dhe një sistemi të shkëlqyer sigurimi që ofron qasje në të gjitha shërbimet mjekësore, brenda vitit 2012 arritën të ulnin numrin e vdekjeve nga goditjet në tru.

Titullin e grave që jetojnë më gjatë në botë – japonezet e fituan këtë vit. Në vendin e dytë u spostuan gratë nga Hong Kongu, të cilat qëndronin në krye të listës për më shumë se 25 vjet. Dhe nëse vetëpyeteni se ç’ndodh me gratë europiane – mjafton t’u them se krahas të lartpërmendurave në pesëshe renditen spanjollet, francezet dhe zvicëranet.

Për mos pasur ankesa nga pala e burrave, i lashë për në fund, si qershia në tortë. Dëgjoni, burrat që jetojnë më gjatë nuk ndodhen në ndonjë vend të nxehtë, por në Islandën e akulltë dhe jetojnë plot 80.8 vjet, pas tyre vijojnë burrat e Hong Kongut, Zvicrës dhe Izraelit./AlbStroka.com/Epo më ka mbetur merak që ne shqiptarët s’u renditëm dot në asnjë listë, përveç asaj të vjedhjeve sigurisht.

© www.AlbStroka.com

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top